FUTBOLL – Federata Angleze nuk arriti t’i mbronte fëmijët nga abuzimet

LONDËR, 19 mars /ATSH-AA/-Federata Angleze e Futbollit (FA) është akuzuar se ka dështuar të mbrojë fëmijët nga abuzimi seksual dhe se nuk ka bërë sa duhet për t’i mbajtur ata të sigurt, zbuloi një hetimi i shumëpritur.

Raporti, i porositur nga FA në vitin 2016 dhe i udhëhequr nga avokati i shquar Clive Sheldon QC, u publikua dje dhe u përqendrua në abuzimin seksual të fëmijëve brenda organizatës që ndodhi midis viteve 1970 dhe 2005.

“FA veproi shumë ngadalë për vendosjen e masave të përshtatshme dhe të mjaftueshme për mbrojtjen e fëmijëve dhe për të siguruar që mbrojtja do të merrej mjaft seriozisht nga ata që ishin përfshirë në lojë. Këto janë dështime të rëndësishme institucionale për të cilat nuk ka asnjë justifikim”, thuhet në hetim.

“Abuzimi shkatërroi besimin që të mbijetuarit kishin tek abuzuesi dhe tek ata me përgjegjësi në futboll për t’i mbajtur fëmijët të sigurt. Abuzimi kishte një ndikim shkatërrues në jetën e shumë të mbijetuarve si dhe familjeve të tyre dhe të dashurve të tyre”, shtoi ai.

Hetimi zbuloi se FA veproi shumë ngadalë në zbatimin e masave efektive të mbrojtjes dhe duhej të kishte bërë më shumë për të mbrojtur fëmijët dhe për t’i mbajtur ata të sigurt pas arrestimeve të profilit të lartë të abuzuesve seksualë të fëmijëve midis viteve 1995 dhe 2000.

Pas dënimit të këtyre “grabitqarëve seksualë” dhe pasi kishin nisur një politikë dhe program për mbrojtjen e fëmijëve, FA vazhdoi të bënte gabime duke dështuar që të heq abuzuesit nga prania e fëmijëve dhe raportimin e tyre tek autoritetet.

Sipas raportit, dolën deri në 240 persona të dyshuar për abuzim seksual të fëmijëve dhe 692 të mbijetuar të abuzimit. Megjithatë, sulmet seksuale u raportuan rrallë ndërsa niveli në të cilin ndodhi abuzimi ishte shumë më i lartë nga sa mendohej fillimisht.

“Të mbijetuarit kanë përshkruar para meje përpjekjet për vetëvrasje, përdorimin e tepruar të alkoolit, drogës ose varësinë nga to, periudhat e depresionit dhe sëmundjeve të tjera mendore, marrëdhëniet e dështuara me partnerë dhe fëmijë, të cilat ata ia atribuojnë abuzimit seksual që ata përjetuan si fëmijë”, theksoi Sheldon në raportin e tij./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.