ARMENI – Zgjedhje të parakohshme parlamentare

EREVAN, 19 mars /ATSH-AA/ – Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan njoftoi se më 20 qershor në vend do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në një deklaratë me shkrim nga platforma e medias sociale Facebook, Pashinyan vuri në dukje se sot ka zhvilluar një takim me liderin e Partisë opozitare “Armenia e Begatë” Gagik Tsarukyan.

“Në bisedë është theksuar se zgjedhjet e parakohshme janë rruga më e mirë e daljes nga situata aktuale politike në vend”, tha Pashinyan.

“Kur marrim parasysh bisedimet me presidentin Sargsyan, me partinë ‘Hapi Im’ dhe partinë ‘Armenia e Ndriçuar’, më 20 qershor në Armeni do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare”, theksoi ai.

Shefit i Shtabit të Përgjithshëm të Armenisë, Onik Gasparyan dhe komandantët e nivelit të lartë, më 25 shkurt i dhanë një memorandum kryeministrit Pashinyan duke nënshkruar një deklaratë e cila i bënte thirrje për dorëheqje.

Menjëherë Pashinyan njoftoi shkarkimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Gasparyan nga detyra.

Presidenti Sargsyen i cili mban një qëndrim pro-opozitës nuk e nënshkroi dekretin e kryeministrit Pashinyan lidhur me shkarkimin e Gasparyan.

Pashinyan, thirrjen e komandantëve të ushtrisë për dorëheqjen e tij e cilësoi si një “përpjekje për grusht shteti”./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.