Vaksinimi i mësuesve në Shkodër/ Rama: Procesi vazhdon në gjithë Shqipërinë, lufta për shëndetin mbi çdo betejë elektorale

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Në Shkodër dhe gjithë vendin vazhdon vaksinimi i mësuesve, me numra që vijnë në rritje çdo ditë nga dëshira për t’u vaksinuar dhe deri tani nuk është shfaqur as më i vogli problem, në asnjë rast të vetëm.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot nga afër në qytetin e Shkodrës vaksinimin antikovid të mësuesve.

Kreu i qeverisë u tha mësuesve që e kishin kryer vaksinën se, “duhet të ruhen në periudhën  e parë sa të krijohen antitrupat, pasi nuk e bën efektin që ditën e parë. Je i infektueshëm brenda dy javëve pastaj je në rregull. Mos kini asnjë shqetësim, mesa po shohim edhe vendet që e pezulluan me shumë gjasë do e fillojnë prapë vaksinimin me ‘AstraZeneca’. Bëhej fjalë për një seri tjetër edhe nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes vaksinës dhe rasteve që kanë pasur”.

Kryeministri Rama tha se, “ne do ta zmbrapsim përfundimisht Armikun e Padukshëm një orë e më parë dhe uroj që kush i ka hipur kalit mbrapsht, duke thyer rregullat e duke ushqyer zinxhirin e infektimeve, të reflektojë, sepse lufta për shëndetin është mbi çdo betejë elektorale”.

Ministrja Manastirliu tha se, “jemi duke vijuar me vaksinim e mësuesve. Deri më sot janë vaksinuar në gjithë vendin 4300 mësues, ndërkohë që ai vazhdon. Janë mbi 33 mijë doza të kryera, ku mbi 23 mijë doza janë kryer në personelin shëndetësor, mbi 5 mijë doza tek të moshuarit. Procesi po shkon shumë mirë edhe në Shkodër. Nga dita në ditë ka intensifikim të kryerjes së vaksinës”.

Shefja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino u shpreh se, “deri tani nuk ka pasur asnjë problem dhe efekt anësor pas vaksinimit në vendin tonë”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.