Sondazhi i Euronews/ 45.6 % e qytetarëve duan Ramën kryeministër, Bashën 32.2 %

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Në rang kombëtar, 45.6 % e qytetarëve të anketuar në sondazhin e Euronews shohin Edi Ramën si kryeministrin më të përshtatshëm, ndërkohë që 32.2 % shohin kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Këto janë të dhënat e sondazhit të Euronews Albania kryer nga kompania MRB.

Sipas rezultateve të sondazhit, 44.1 % e qytetarëve në Tiranë mendojnë se Edi Rama është lideri politik më i përshtatshëm për të drejtuar vendin, kundrejt 34.1 % e të anketuarve që preferojnë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Shumica e shqiptarëve besojnë se Partia Socialiste do të dalë e para në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Të pyetur për besimin se kush do t’i fitojë zgjedhjet pavarësisht mënyrës si ata do të votojnë, qytetarët u përgjigjën 49.3% për PS-në; 33.5% për PD-në; 5.5% për LSI-në dhe 0.2% të tjera.

Po ashtu, nëse qytetarët do të drejtoheshin këtë të diel drejt kutive të votimit, 41.3% e tyre do të votonin PS-në; 30.8% PD; 7.6% LSI dhe 1.3% PDIU.

Votuesit e papërcaktuar, pra ata që janë përgjigjur se nuk do të votojnë, nuk e dinë apo që kanë refuzuar të përgjigjen janë në masën 17.9%, një tendencë në rritje krahasuar me gjetjet e dy sondazheve të para ku të papërcaktuarit ishin 16.1% dhe 17%.

Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën Partia Socialiste do të fitonte shumicën e mandateve në Tiranë.

Kështu për PS do të votonin 42%; për PD- 31.7%; për LSI- 6.4% dhe për partitë e tjera 2.7%. Ndërkohë  17.2% e të pyeturve nuk e përcaktuan se kë parti do të zgjidhnin nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën.

Sipas këtij sondazhi, ndarja e mandateve për kryeqytetin do të ishte: PS – 19 mandate; PD – 15 mandate dhe LSI – 2 mandate.

Sondazhi i tretë i Euronews Albania pyeti në rang kombëtar 1015 persona në qarkun e Tiranës, zona urbane dhe rurale lidhur me mendimet e tyre për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Intervistat u realizuan gjatë periudhës 25 shkurt – 12 mars dhe përfshinë 48.8 % meshkuj dhe 51.2 % femra me të drejtë vote.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.