Ulje e taksave për dy fasha pagash/ Denaj: Rrisim përfitimet për individët dhe biznesin 

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, u shpreh se “brenda taksimit progresiv, nga janar 2022 zgjerojmë dy fasha për uljen e taksimit mbi pagën duke rritur përfitimet për individët dhe biznesin”.

Gjatë një interviste televizive, Denaj theksoi se, “nga 1 janari 2022, në programin tonë ekonomik parashikohet rritja e dy fashave brenda taksimit progresiv për pagën e individëve. Ajo e kalimit në 0 taksa për paga deri  në 40 mijë lekë në muaj, nga sot që e kemi 30 mijë lekë dhe zgjerimi i fashës nga 150 mijë lekë pagë mujore në 250 mijë lekë, që përfiton ulje të taksimit në 13 % nga 23 % që është aktualisht. Kjo do të thotë një përfitim më i madh i të gjithë punonjësve që janë në kategorinë e pagesës 150-250 mijë lekë, ku do të ulet taksimi nga 23 % në 13 %”.

“Ulja e taksave nuk është risi, por vijueshmëri. Pasi qeveria ka ulur taksat edhe më përpara. Taksën 0 për pagën 30 mijë lekë në muaj e bëri PS. Rritjen e fashës nga 130 mijë në 150 mijë e bërë PS, në 2018 dhe ne thjeshtë po rrisim fashëm për përfitueshmëri më të madhe të shqiptarëve”- tha Denaj.

Duke u ndalur në risitë e një programi 4-vjeçar, ministrja vuri në dukje se, “natyrisht ky program  ka shumë aspekte, por dua të veçoj fokusin në politikat e nxitjes ekonomike, politikat fiskale lehtësuese në mbështetje të biznesit”.

“Gjithashtu, theksoi ajo, flasim për një fond shtesë për kthimin e emigrantëve në Shqipëri. Qeveria vë në dispozicion një fond prej 50 milionë euro garanci sovrane për rinovimin e makinerive dhe pajisjeve të biznesit. Ndërkohë që në fokus është mbështetja për dixhitalizimin, fusha e teknologjisë dhe informacionit, si sektori i zhvillimit të së ardhmes”.

Denaj tha se, vaksinimi është një faktor kyç për hapjen e ekonomisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Jam optimiste që viti që flasim do të ketë një rritje pozitive me 5 % duke arritur të neutralizojmë rënien e vitit të kaluar dhe të fillojmë të ndërtojmë shtesën nga viti që vjen”, – tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.