Publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve/ 3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote


TIRANË, 17 mars/ATSH/ Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin, datë 25 prill 2021.

Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,588,869 shtetas shqiptarë.

Kreu i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj tha se janë 3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote.

“50.5 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.5 % janë femra, 107,024 zgjedhës votojnë për herë të parë ndërsa 1,098 shtetas nuk janë papërfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit”, bëri të ditur Doracaj.

Ai tha se 5,199 është numri i qendrave të votimit.

Doracaj deklaroi se i gjithë ky proces i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të Komisionit Qendror të Zgjedhësve. Në çdo etapë të tij, auditët kanë pasur të njëjtin akses që ka Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Në vijim të komunikimeve për listën e zgjedhësve, ministria nënvizon se ky proces ka kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit.

– Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhorë u publikua në 5 tetor 2020;
– ekstrakti i dytë i përbërësve zgjedhorë u publikua në 2 nëntor 2020;
– ekstrakti i tretë i përbërësve zgjedhorë u publikua në 1 dhjetor 2020;
– ekstrakti i katërt i përbërësve zgjedhorë u publikua në 4 janar 2021;
– ekstrakti i pestë i përbërësve zgjedhor u publikua në 1 shkurt 2021;
– ekstrakti i gjashtë i përbërësve zgjedhorë u publikua në 2 mars 2021.

Çdo qytetar është i lutur të verifikojë emrin e tij në listën e zgjedhësve nëpërmjet shërbimit online në portalin “e-albania” si dhe për çdo pretendim mund t’u drejtohet zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative, të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura nga dita e hënë, deri në ditën e shtunë. Lista përfundimtare e zgjedhësve përmbyll kështu procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki, ashtu sikurse deri më tani, do të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor, që rrjedh nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore”, deklaroi Doracaj.

Në përfundim të deklaratës, ai fton çdo qytetar që posedon një dokument biometrik, letërnjoftim apo pasaportë, të cilës i ka skaduar afati i vlefshmërisë, t’u drejtohet zyrave të aplikimit, për t’u pajisur me këto dokumente me qëllim që në datën 25 prill, të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.