FOKUS – Ministri britanik i Shëndetësisë: Qëndroni të qetë dhe vazhdoni vaksinimin me AstraZeneca

LONDËR, 17 mars /ATSH-AFP/ – Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock kërkoi sot të vazhdohej procesi i vaksinimit kundër COVID-19 me AstraZeneca, duke siguruar se nuk kishte prova se ajo shkaktonte mpiksje gjaku.

Përdorimi i kësaj vaksine u pezullua si masë parandaluese nga disa vende të shqetësuara për efekte të mundshme anësore.

“Nuk ka prova që këto vaksina kanë shkaktuar mpiksje”, shkruan Matt Hancock në tabloidin “The Sun” duke nënvizuar se nuk ishte vetëm mendimi i tij, por edhe ai i rregullatorit britanik, MHRA-së, OBSH-së dhe Agjencisë Europiane të Medikamenteve (EMA).

“Më shumë se 11 milionë doza të vaksinës AstraZeneca janë administruar tashmë në Britaninë e Madhe dhe përqindja e rasteve të mpikjeve, sinjalizuar mes personave të vaksinuar është e ulët sesa ajo që pritej natyrshëm në popullatën e përgjithshme”, theksoi ministri.

Britania e Madhe është angazhuar në një fushatë vaksinimi masiv, filluar në dhjetor që mbështetet në vaksinën e AstraZeneca-s dhe atë të Pfizer/BioNTech.

Rreth 25 milionë persona kanë marrë tashmë një dozë të vaksinës, një shifër që i afrohet gjysmës së popullsisë të rritur në total./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.