Reforma në drejtësi e vështirë pa mbështetjen e SHBA/ Xhaçka: Fronti antireformë i sheh zgjedhjet si mundësi për ta zhbërë

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, Reforma në Drejtësi do të kishte qenë shumë herë më e vështirë pa mbështetjen e SHBA.

“Mjafton të shohësh rezistencën që i ka bërë asaj fronti antireformë, mjafton të shohësh sesi lufton ky front edhe sot duke i parë zgjedhjet e 25 prillit si mundësinë e fundit për ta zhbërë reformën në drejtësi, për ta kuptuar sa jetike ka qenë kjo ndihmë”, tha Xhaçka duke folur në aktivitetin “30 vjet së bashku”, me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA”, të mbajtur në MEPJ.

Xhaçka theksoi se, “marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat jo vetëm të diplomacisë, por edhe të politikave të sigurisë e reformave të vendit tonë”.

“Kjo është një datë shumë e rëndësishme për vendet tona, por kjo është një datë shumë e rëndësishme edhe në një nivel njerëzor, jo vetëm për mua, por për dhjetëra-mijëra shqiptarë”, tha Xhaçka.

“Jam e bindur që marrëdhënia mes vendeve tona është kjo që është, kaq e fortë dhe e konsoliduar sa është, sepse ajo ngrihet mbi themelet e lidhjeve njerëzore që ekzistojnë mes nesh. Nuk është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa strategjike të një momenti apo konvenienca gjeopolitike të një momenti tjetër. Është një marrëdhënie mes dy popujsh që i bashkojnë vlerat, parimet e fijet e panumërta të lidhjeve familjare e njerëzore”, tha Xhaçka.

“Historia e 30 vjetëve të fundit ka treguar më së miri, me fakte e prova, sesa jetike ka qenë miqësia me Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë dhe shqiptarët. Çdo shqiptar mund t’i bëjë vetes disa pyetje të thjeshta për ta kuptuar këtë: Si do të kishte qenë historia e tranzicionit shqiptar pa mbështetjen e SHBA? Si do të kishin qenë sot shqiptarët në rajon pa mbështetjen e SHBA? Si do të kishte qenë sot rajoni ynë, i konsumuar nga konflikte e diktatura e dhuna për aq gjatë, pa ndërhyrjen e SHBA?”, u shpreh ministrja Xhaçka.

“E vërteta është që në çdo moment të 30 vjetëve të fundit, SHBA kanë qenë aty për ne, na kanë mbështetur, na kanë ndihmuar dhe kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e Shqipërisë, e cila sot, edhe pse me shumë probleme e sfida, ka shumë pak gjëra të përbashkëta me atë vendin që vizitoi James Baker në vitin 1991”, tha ajo.

“Në fakt jo vetëm mbrojtja, por mbarë transformimi demokratik i Shqipërisë dhe rrugëtimi i saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian i detyrohet shumë mbështetjes amerikane. Reforma në Drejtësi do të kishte qenë shumë herë më e vështirë pa këtë mbështetje. Mjafton të shohësh rezistencën që i ka bërë asaj fronti antireformë, mjafton të shohësh sesi lufton ky front edhe sot duke i parë zgjedhjet e 25 prillit si mundësinë e fundit për ta zhbërë reformën në drejtësi, për ta kuptuar sa jetike ka qenë kjo ndihmë”, tha Xhaçka.

“E vërteta është që në çdo moment të 30 vjetëve të fundit, SHBA kanë qenë aty për ne, na kanë mbështetur, na kanë ndihmuar dhe kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e Shqipërisë, e cila sot, edhe pse me shumë probleme e sfida, ka shumë pak gjëra të përbashkëta me atë vendin që vizitoi James Baker në vitin 1991”, nënvizoi Xhaçka.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim u shpreh se, “për 50 vjet ne u mbajtëm larg”.

“Sidoqoftë, gjatë atyre 50 viteve, ne e mbajtëm lidhjen tonë midis zemrave tona, mendoj, midis njerëzve tanë, përfshirë edhe përmes Zërit të Amerikës. Por më 15 mars 1991 e bëmë atë zyrtar, e bëmë zyrtar dhe është një nder i madh për mua të jem Ambasadori që është i pranishëm për këtë moment”, u shpreh Kim.

“Këtë javë, do të kemi një sërë veprimtarish për të festuar këtë përvjetor, por edhe për të festuar progresin e Shqipërisë si një komb demokratik, të gjitha reformat që ju keni bërë, progresin që është bërë. E di që nga dita në ditë, nganjëherë humbasim dhe harrojmë progresin që është bërë, por mendoj, nëse krahasojmë 1991 me 2021, të gjithë do të duhet të pranojmë se ka ndodhur një ndryshim i jashtëzakonshëm pozitiv”, theksoi Kim.

“Ne e kemi bërë së bashku”, shtoi Kim duke theksuar se “ky vend dikur njihej si “Koreja e Veriut e Evropës”.

“Sot, ju jeni shndërruar në një aleat të qëndrueshëm, një partner dhe një mik i dashur i Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.

“Tridhjetë vjet më parë, populli i Shqipërisë u çlirua nga prangat e diktaturës dhe komunizmit dhe Shtetet e Bashkuara kapën me krenari dorën shqiptare që ishte zgjatur, lirshëm dhe me sinqeritet, në miqësi. Gjatë viteve, ne kemi punuar së bashku për një sërë qëllimesh dhe përparësish të përbashkëta, duke përfshirë luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokratizimin, sigurinë evropiane dhe zgjerimin e lidhjeve Transatlantike”, tha Kim.

“Është një kënaqësi të shikosh ekspozitën e ekspozuar sot – për të parë se si kemi vendosur marrëdhënie diplomatike. Si e rihapëm Ambasadën tonë, si e mbështetëm njëri-tjetrin në disa momente shumë të vështira. Ne ishim aq të kënaqur që e mirëpritëm Shqipërinë në NATO dhe po presim me padurim ditën që ju të jeni një anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Ne jemi gjithashtu të kënaqur që Amerikanët kanë ardhur në Shqipëri në shumë mënyra të ndryshme, jo vetëm si diplomatë, por me Vullnetarët tanë të Korpusit të Paqes, të cilët kanë shkuar në çdo cep të këtij vendi dhe janë larguar me zemrat e tyre përgjithmonë në Shqipëri”, tha ajo.

“Gjatë 30 viteve të fundit, populli i Shteteve të Bashkuara i ka ofruar Shqipërisë mbi 1.1 miliard dollarë ndihmë, të cilën ne e kemi përdorur së bashku për të trajtuar sfidat në demokraci, mbrojtje dhe biznes, ndër çështje të tjera. Si pjesë e këtij kontributi, misioni ynë i USAID dhe partnerët e tyre lokalë kanë mbështetur reforma të rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë atë si partnerë”, shtoi Kim.

“Sot, Shqipëria është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përsëri Shtetet e Bashkuara janë krenare t’ju mbështesin ndërsa bëni ndryshimet e nevojshme për këtë përpjekje historike. Vendimi i BE-së për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në fund të Marsit është dëshmi e përparimit themelor dhe domethënës që Shqipëria ka bërë për të zbatuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të lehtësojë rritjen e stabilitetit rajonal dhe lidhjen politike dhe ekonomike në Europë dhe në partneritetin Transatlantik. Ne shpresojmë që të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe të punojmë me ju për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, shtoi Kim.

“Angazhimi ynë i përbashkët për sigurinë mishërohet më qartë në partneritetin tonë të fuqishëm brenda aleancës së NATO-s. Ne jemi mirënjohës ndaj Shqipërisë për rolin e saj udhëheqës në promovimin e sigurisë rajonale dhe globale përmes kontributeve të saj si anëtare e NATO-s. Ne shpresojmë të qëndrojmë gjithmonë krah për krah me ju për 30 vitet e ardhshme dhe më tej”, tha Kim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.