Merr formë qyteza e re e Thumanës/ 155 banesa individuale dhe 278 apartamente

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Transformimi i Thumanës, pas goditjes së rëndë që mori nga tërmeti shkatërrimtar, po merr formë, ndërsa për banorët së shpejti nata tragjike e nëntorit do të jetë thjesht një kujtim.

Puna vijon me intensitet si për ndërtimin e banesave individuale, ashtu edhe për banesat kolektive.

“Thumana do të jetë qyteti më i ri modern në Ballkan, në ato përmasa të vogla kuptohet, në raport me pasojat e tërmetit”, u shpreh ministri Ahmetaj, gjatë inspektimit që bëri Kryeministri Rama në kantierin e qytezës më të re që po ngrihet nga themelet.

Qytetarët, u shpreh më tej ministri Ahmetaj, kanë filluar bëjnë xhiron e pasdites në kantier, e kanë si pelegrinazh tani.

Në vjeshtën e vitit 2021, parashihet që ata që u prekën nga tërmeti në Thumanë të rikthehen të gjithë në shtëpi të reja. Ndërkohë është gati shkolla e re.

“Bukuria e gjithë kësaj është që kanë hapësira fantastike të përbashkëta dhe ajër midis banesave e midis pallateve”, tha për projektin Kryeministri Rama.

Në total, në Thumanë janë 155 banesa individuale dhe 278 apartamente, ndërsa shkolla e Thumanës është gati për të pritur nxënësit. E gjitha e arritur në vetëm 8 muaj.

“Jo më shumë se para 8 muajsh keni prezantuar këtu në 3D këtë që sot është realitet dhe që preket me dorë, në 8 muaj. Këto shkolla që hapen rishtazi do presin grupin e parë të fëmijëve që me politikën arsimore “Shqipëria 2020-2030”, me anglisht që në klasë të parë dhe dituritë e para për IT-në që në klasë të parë. Me logjikën e programit që në 10 vite këta fëmijë të jenë në anglisht të përsosur e gati dhe të pajisur me dituritë bazë apo dhe pak më të avancuara të IT-së, në funksion të shoqërisë dixhitale”, deklaroi Ahmetaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.