HAGË – Holanda në tri ditë zgjedhje parlamentare përgjatë lockdown

AMSTERDAM, 15 mars /ATSH-DPA/ – Holanda filloi sot zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen përgjatë tri ditëve për shkak të kufizimeve nga pndemia e Covid-19 për të shmangur grumbullimin e votuesve.

Dy ditë përpara ditës zyrtare dhe përfundimtare të votimit, që është e mërkura, një numër qendrash votimi po hapen sot për t’i dhënë kohë të mjaftueshme një elektorati prej rreth 13 milionësh.

Votimi postar është lejuar gjithashtu për herë të parë për qytetarët e moshës 70 vjeç e lart.

Një shtetrrethim gjatë natës do të mbetet në vend në të tre ditët e zgjedhjeve, megjithatë përjashtime po bëhen për votuesit e vonuar dhe personelin e qendrës së votimit.

Për të shmangur rrezikun e radhëve dhe turmave në qendrat e votimit të hënën dhe të martën, qeveria po u bën thirrje qytetarëve që nuk përballen me rreziqe shëndetësore që të votojnë të mërkurën.

Një rekord prej 37 partish janë në zgjedhje.

Përpara votimit, sondazhet parashikuan që partia VVD e kryeministrit Mark Rutte do të ketë epërsinë e qartë me rreth 24%, e ndjekur nga PVV e populistit të krahut të djathtë Geert Wilders me rreth 12%./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.