Premtoi se do sigurojë 11 mijë vota, Mimi Kodheli nis menjëherë fushatën

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Pas zyrtarizmit të listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, kandidatja e PS për Qarkun e Tiranës Mimi Kodheli ka nisur menjëherë fushatën.

Ajo ka qenë në Farkë ku ka zhvilluar takime me disa familje kuksiane të cilat janë vendosur në Tiranë.

Kodheli theksoi se është pikërisht PS ajo që bëri të mundur rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti në një kohë të shkurtër.

“Si sot një vit më parë kam qenë në Bruksel me Kryeministrin Rama kur u kërkonte para njerëzve më të fuqishëm të botës për të ndërtuar Shqipërinë. Nuk besoj se ka një udhëheqës tjetër që ka marrë 1.2 miliardë euro. E paimagjinueshme në shifër për të rindërtuar shtëpitë e njerëzve të vet. U bënë shtëpitë, por rindërtohen pothuajse qyteza të tëra, gjë që nuk ka ndodhur as në vendet më të zhvilluara të botës.
Ne kemi një super djalë që drejton Bashkinë e Tiranës, që quhet Erion Veliaj. Unë e di çfarë pune bën dhe sa punë ka. Kam qenë vetë nënkryetare bashkie 20 vjet më parë dhe e di çdo të thotë të drejtosh një kryeqytet me të ardhur, me vendali, me hallexhinj, me gjithëfarësoj shqetësimesh që qyteti ka, por prioriteti dhe në mënyrë absolute ka qenë rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti”, u shpreh Kodheli.

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli është e renditur në vendin e 21 në listën e PS për Tiranën.

Kodheli ka siguruar se pavarësisht renditjes, ajo do ta fitojë mandatin dhe do të marrë 11 mijë vota.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.