Ritme të larta pune për ndërtimin e Spitalit Memorial Fier/ Rama publikon pamje nga dita e 57-të në kantier

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Në kantierin e spitali rajonal të Fierit po punohet natë e ditë, me tre turne për të përmbushur angazhimin e qeverisë turke për realizimin e tij në një afat kohor prej 3 muajsh.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna e realizuar deri tani, 57 ditë pas nisjes së punimeve në këtë kantier.

Spitali i Fierit po ndërtohet në afërsi të autostradës, me një sipërfaqe prej 50 000 metrash katrorë, 13 000 metra katrorë prej të cilave strukturë spitalore dhe me një kosto prej 70 milionë euro.

Dita ditës, spitali po merr gjithnjë e më shumë formë dhe për ndërtimin e tij po punohet pa ndërprerje, pavarësisht kushteve të motit.

Ky spital do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë dhe dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar.

Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve, do të kryhet në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.