“Kemi skuadër dhe qasje të re”/ Ne s’shkojmë para popullit për panair fosilesh si lista e PD-së

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sonte gjatë një emisioni televiziv se listat për kandidatë të Partisë Socialiste, për zgjedhjet e 25 prillit, janë një rreshtim i një skuadre që zbret në fushë për të fituar.

Kryeministri Edi Rama, u shpreh se një skuadër nuk është një rreshtim i vlerave të së shkuarës, por një rreshtim i një skuadre që ka objektiva për të ardhmen. Rama e cilësoi kandidimin e zonjës Luljeta Bozo dhe mjekes Najada Çomo si një vlerë e shtuar në Partinë Socialiste, ndërsa u shpreh për to duke iu referuar si personalitete, që përfaqësojnë një komunitet të caktuar, që më herët kurrë nuk është përfaqësuar drejtpërdrejt në parlament.

“Një skuadër ndërtohet në bazë të një analize. Në bazë të një strategjie për të fituar një ndeshje. Një skuadër nuk është një reshtim i vlerave të krijuara në të shkuarën dhe deri sot, një skuadër ëshë një reshtim i forcave që duhen në fushë për të përballuar këtë ndeshje”, – tha Rama.

“Për të përballuar këtë ndeshje kemi një strategji të re. Kemi një skuadër të re në shumë aspekte të saj dhe kemi një qasje të re. Kjo është shumë e thjeshtë. Luljeta Bozo nuk është etiketë, është personalitet që i flet shoqërisë, që rezonon me shoqërinë dhe që do të përfaqësojë në parlament drejtpërdrejt për herë të parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, një kategori shumë të rëndësishme për nga pesha, e që s’ka qenë kurrë e përfaqësuar, që është kategoria e pensionistëve, gjyshërve dhe stërgjyshëve. Është personalitet, vlerë e madhe për mua dhe për Partinë Socialiste, që zonja Luljeta Bozo e ka pranuar këtë ftesë. Mund edhe të mos e pranonte. Është dhe një kompliment për Partinë Socialiste dhe për mua që një zonjë e tillë ka besim dhe gatishmëri për t’u bërë pjesë e kësaj skuadre”, – tha Rama.

“Najada Çomo është personalitet jo etiketë, vjen drejtpërdrejt nga fronti më i vështirë i këtij viti të fundit, që nuk vjen për t’u bërë deputete profesioniste, por për të qenë zëri i kategorisë së bluzave të bardha dhe vjen nga brenda tyre. Jo thjesht për t’u përfaqësuar nga ministria apo ministrja. Patjetër është në krye të skuadrës që ka të gjitha meritat për të qenë aty. Rezonimin me shoqërinë e ka shumë shumë pozitiv”, – tha Rama.

Duke folur për rreshtimin e ministrave dhe personaliteteve të tjera politike në listën e Partisë Socialiste, Rama tha se “Pandeli Majko është i 19 në listë, sepse ka 30 vjet që është në vijën e parë të PS dhe sigurisht që Pandeli Majko, unë, Gramoz Ruçi, s’mund të rrimë në majë atje e ta shohim nga lart poshtë çfarë ndodh aty ku është objektivi ynë për të arritur në fushëbetejë. Ne duhet të qëndrojmë tek objektivi, jo në majë të listës”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se opozita përballë tij është duke promovuar monumentet e vjetra që kanë vlerë brenda partisë.

“E kam shumë seriozisht kur them se na duhen sa më shumë njerëz dhe partia t’i ngjajë sa më shumë atyre dhe jo njerëz që do i ngjajnë partisë dhe jo si ato përballë që janë fosilizuar. Sali Berisha për histori për çfarë ka ndodhur tek Partia Demokratike, ka meritat e veta, por a janë ato merita të duhura për të qenë ende në listë ai? Ne s’po shkojmë para popullit për të bërë panair të statujave, të monumenteve apo vazove që kemi në koleksionin tonë. Ne shkojmë para popullit për të qenë në lartësinë e duhur të viteve që kemi përpara. Një parti që s’e bën këtë është e destinuar të marrë goditjen pas nga populli që të mos ketë fuqi të ringrihet. Ne s’kemi nevojë të na marrë populli me shkelma, por secili është aty ku është vendi i tij”, – nënvizoi Kryeministri Edi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.