“Kemi bërë maksimumin që listat tona të jenë përfaqësuese”/ PD sjell në Vlorë një skuadër që s’ka asnjë minoritar

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Kryeminsitri Edi Rama deklaroi sot se ligji shqiptar i dekriminalizimit është unikal, nuk e ka asnjë vend i botës, as i Europës dhe shkon përtej të drejtës së rehabilitimit.

Rama tha sot në një intervistë televizive në lidhje me apelin e ambasadores së SHBA-së që në lista të mos përfshihen persona të inkriminuar se “nuk kam vendosur kurrë, kurrë, asnjë element kriminalë, ose me precedentë penal në dijeninë time”.

“Kam qenë i pari kryetar partie kur kam bërë listën e parë që kam kërkuar që të gjithë të bien dëshminë e penalitetit. Të gjithë kanë sjellë dëshminë e penalitetit, komplet sipas ligjit që kishte Shqipëria në atë kohë. Unë nuk kam ditur që ky ka këtë prandaj po e vë unë”, tha Rama.

Në lidhje me atë nëse ka një proces filtrimi të kandidaturave brenda partisë, Rama tha se, “atë proces ne e kemi bërë gjithmonë jo vetëm tani”.

“E kam shpjeguar që ligji që kemi bërë ne është unikal nuk e ka asnjë vend i botës, as i Europës dhe ligji që kemi bërë ne shkon përtej të drejtës së rehabilitimit. Ndërkohë të gjitha dokumentet që lidhen me fakte të ndodhura përpara afatit që personi quhet i rehabilituar, bota i ka, “fatto non esiste”, fakti nuk ekzsiton, por i ka nëpër arkiva dhe nuk kanë partitë politike akses të futen në arkivat e botës, gjë që mund ta bëjnë vetëm prokuroritë, Interpoli etj etj. Dhe këtu ka dy gjëra, personi vetë që bën vetëdeklarimin duhet të thotë të vërtetën dhe pastaj hetime të thelluara për raste të caktuara, që nxjerrin një të vërtetë që fatkeqësisht është e ndryshme nga ajo që ti di kur personi bën vetëdeklarimin dhe kur ti sheh çfarë mund të shohësh”, theksoi Rama.

“Nëse ka raste, ato kanë dalë, kanë ikur. Nëse ka njerëz që kanë gënjyer dhe duan të shkojnë të përballen pastaj se ka pasoja penale ajo gënjeshtra, nëse gënjejnë do përballen”, tha Rama.

“Unë di që ne kemi bërë maksimumin që listat tona të jenë përfaqësuese dhe kemi skuadrën më përfaqësuese në krahasim me të gjitha skuadrat e të gjitha viteve se kemi punuar për këtë. Kemi dy vjet ne që punojmë për këtë”, vijoi ai.

“Të gjitha skuadrat e çdo qarku janë bërë me porosinë e dhënë në kryesi që çdo drejtues qarku duhet të fillojë të mendojë për skuadrën. Dhe skuadrat janë përgatitur duke marrë shumë komponentë, duke marrë territorin”, tha Rama.

“Në Vlorë PD sjell një skuadër që s’ka asnjë minoritar. Po si mund të sjellësh në qarkun e Vlorës një skuadër që s’ka asnjë minoritar, kur ke një minoritet poshtë në zonën e Finiqit që do të përfaqësohet”, theksoi Rama.

“Në zonën e Finiqit është një minoritet i tërë që s’ka përfaqësues. Mirë kjo. Ka sjellë në Vlorë një grup që nuk banon asnjëri në Vlorë. S’ka asnjë me banim në Vlorë. Deputet pa banim në Vlorë. Njerëz që kanë orgjinë nga Vlora vijnë atje për të përfaqësuar të djathtën e Vlorës. Dhe janë atje në Vlorë disa që janë, jo ca familja Sharra etj, që janë realisht përfaqësues atje. Dhe çfarë listash janë këto. Këto janë lista të bëra në gjumë”, u shpreh Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.