BRUKSEL – BE, 13 milionë euro për Ballkanin Perëndimor për përballimin e pandemisë së COVID-19

BRUKSEL, 11 mars /ATSH/ – Komisioni Europian paraqeti një paketë prej 530 milionë eurosh në mbështetje financiare shtesë përmes Fondit të Solidaritetit të BE-së (EUSF), sipas faqes së Komisionit Europian, ec.europa.eu.

Ai do të kontribuojë në përpjekjet e vendosura nga 17 shtetet anëtare, Austria, Belgjika, Kroacia, Çekia, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Portugalia, Rumania, Spanja dhe tri vendet drejt anëtarësimit Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia për të mbrojtur shëndetin publik në luftën kundër koronavirusit.

Ky financim do të mbështesë një pjesë të shpenzimeve të tyre publike për pajisjet mjekësore dhe personale të mbrojtjes, mbështetjen emergjente për popullatën dhe masat e parandalimit, monitorimit dhe kontrollit të përhapjes së sëmundjes.

Komisionerja për Kohezionin dhe Reformat, Elisa Ferreira tha se ”Fondi i Solidaritetit të BE-së është një demonstrim konkret i solidaritetit europian në veprim. Që nga krijimi i tij, ai ka ofruar ndihmë dhe lehtësim efektiv për miliona njerëz gjatë kohërave të vështira. Vitin e kaluar, ne zgjeruam fushën e tij për të mbuluar emergjenca të mëdha shëndetësore. Tani ne po propozojmë të mobilizojmë asistencën financiare lidhur me koronavirusin. EUSF edhe një herë është duke përmbushur misionin e tij kryesor”.

Paketa e ndihmës e propozuar sot përfshin gjithashtu 132,7 milion euro të paradhënieve të marra tashmë nga Gjermania, Irlanda, Greqia, Spanja, Kroacia, Hungaria dhe Portugalia.

Mobilizimi i pagesave përfundimtare të EUSF për 17 shtetet anëtare bazohet në një vlerësim të plotë të aplikimeve të paraqitura, duke siguruar qëndrueshmëri në qasjen dhe trajtimin e barabartë.

Kontributi financiar i propozuar nga Komisioni tani duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe Këshilli. Ndihma financiare do të disbursohet për vendet aplikuese.

”Solidariteti i BE-se me Ballkanin Perëndimor në luftën kundër COVID-19 vazhdon.
Komisioni i BE-se ka propozuar më shumë se 13 milion euro nga Fondi i Solidaritetit të BE-se për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë për të mbuluar kostot e valës së parë pandemike”, tha në një postim në Twitter drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera./ /a.i/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.