“Prokurorë të larguar nga Vetingu kanë fëmijët në listat e LSI-së”/ Spiropali: Mesazhi, kthimi pas i Reformës në Drejtësi

TIRANË, 10 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se “prokurorë të larguar nga vetingu kanë futur kalamajt e tyre në listat e LSI-së, sepse u premtohet kthim pas i Reformës në Drejtësi”.

E ftuar në një studio televizive, Spiropali komentoi listat e Partisë Demokratike dhe të LSI-së.

“Presidenti i Republikës e ka deklaruar me gojën e tij: ‘ky është referendum, do të vazhdojmë me Reformën në Drejtësi apo do kthehemi aty ku ishim dhe t’i japim fund Ramaformës’. Pra është një shenjë që u jepet atyre. Jini me ne, na u bashkoni. Një shenjë për subjektet e OFL-së apo për prokurorë e gjykatës të larguar nga Vetingu që ejani me ne se ne do ta kthejmë pas reformën. Kjo është shenja që jepet”, tha Spiropali.

Ajo tha se “kemi përballë një koalicion që kërkon të vijë në pushtet me njerëz që nuk kanë lënë gjë pa i bërë këtij vendi, me njerëz që kanë kandiduar në 2005 me Berishën dhe janë sot kandidatët e rinj të 2021”.

“Është e turpshme që këta njerëz i serviren sërish publikut. Ku shkojnë këta me Sali Berishën dhe Fatmir Mediun, Shpëtim Idrizin e Vangjel Dule? Cila ideologji i bashkon këta njerëz”, tha Spiropali.

Ajo e cilësoi listën e opozitës, një listë humbëse. “Sot një lider i cili nuk ka karakter për të negociuar një listë të re, që i jep shoqërisë, nuk është një njeri që i duhet këtij vendi për të qeverisur”, tha ajo.

Ajo tha se lista e PS-së ka njerëz me integritet, ka plotësuar kriterin e barazisë gjinore, ka prurje të reja përmes “Deputeti që duam”, ndërsa opozita sjell akoma gjeneralët e vjetër të luftrave politike dhe ky është turp. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.