Meta takim me Sorecën dhe Del Monaco: Ndëshkim me forcën e ligjit për çdo individ që do përfshihet në skema të krimit zgjedhor

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar këto ditë takime me ambasadorët e OSBE dhe BE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco dhe Luigi Soreca.

“Thirra këto ditë në takime të veçanta Ambasadorët e OSBE dhe BE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco dhe Luigi Soreca. I informova rreth takimit, që zhvillova me shoqërinë civile për problematikat, që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë shtyrjen e afatit të kartave të identitetit dhe mundësimin e votimit për shtetasit e prekur nga COVID-19”, u shpreh Meta.

“Theksova se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo tentative për intimidimin, presionin dhe pengimin e pjesëmarrjes masive në zgjedhjet e 25 prillit 2021”, shtoi Meta.

“Çdo individ, që do të përfshihet në skema të krimit zgjedhor, do të ndëshkohet me forcën më të rreptë të ligjit”, u shpreh Meta.

“Vlerësova mesazhin e qartë të Bashkimit Europian se autorët e dosjeve 184 dhe 339 nuk do të amnistohen, njësoj siç nuk do të amnistohet askush tjetër, që do të guxojë të prekë votën e lirë më 25 prill”, theksoi Meta.

“Zgjedhjet e 25 prillit do të vendosin për fatet e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj të pakthyeshme europiane”, nënvizoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.