Meta: Me rëndësi pjesëmarrja masive në zgjedhjet e 25 prillit

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Presidenti Ilir Meta është shprehur sot se është me rëndësi pjesëmarrja masive në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një bashkëbisedim me gazetarët në Fier, Presidenti Meta tha se, “të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i çdo qytetari se vota e tij është fuqia e tij e vërtetë në demokraci. Jam i bindur se këtë fuqi do ta tregojnë më 25 prill”.

“Presidenti ka qenë gjithmonë në anën e Kushtetutës, të interesit publik dhe kombëtar. Presidenti ka qenë gjithmonë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka theksuar prej kohësh që në themelet e krizës qëndron kriza e legjitimitetit të institucioneve”, u shpreh Meta.

“Presidenti ka vetëm një votë. Vota e tij duhet të jetë e barabartë me votën e qytetarit më të thjeshtë. Presidenti do që çdo qytetar të ndërgjegjësohet se vetëm përmes votës ai do të hapë një rrugë të re për veten e tij dhe për shoqërinë tonë”, theksoi Meta.

“Kur flas për referendum më 25 prill e them sepse është vendosur në pikëpyetje e ardhmja europiane e Shqipërisë”, tha Meta, duke shtuar se, “vetëm një pjesëmarrje masive në zgjedhje do përmirësojë kredencialet e Shqipërisë”.

“Populli shqiptar do ta tregojë më 25 prill që është një popull shqiponjash”, tha Meta, duke shtuar se, “më 25 prill keni shumë zgjedhje tradicionale dhe të reja. Keni dhe kandidatët që ju gjykoni se janë më të mirët. Mos e humbisni këtë mundësi”.

“Qytetarët e Shqipërisë duhet të japin vlerësimin e tyre objektiv përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, por edhe përmes kandidatit apo kandidates që ata mendojnë që i përfaqësojnë më mirë interesat e tyre. Të mos nisen nga renditjet e kandidatëve”, shtoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.