Dorëzimi i pasqyrave financiare për 2020/DPT: Afati i fundit 31 mars

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi sot se tatimpaguesit duhet që brenda datës 31 mars të dorëzojnë deklaratën e pagesës së tatimit mbi fitimin dhe pasqyrave financiare për vitin 2020.

Sipas DPT-së, formulari i deklarimit të tatimit mbi fitimin, i plotësuar në përputhje me shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare, dorëzohen në e-filing, llogarinë e deklarimit elektronik të çdo tatimpaguesi. Gjithashtu, në e-filing, në menunë kontabilitet – bilanci vjetor, dorëzohen edhe pasqyrat financiare dhe anekset përkatëse.

Forma e pasqyrave financiare dhe anekseve shpjeguese, do të jetë e njëjtë me atë që dorëzohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKB), konkretisht: bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali), pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow).

Dokumentacioni shtesë i kërkuar i cili do të dorëzohet elektronikisht së bashku me pasqyrat financiare është:

Kontrata e qirasë për mjediset e marra me qira apo vërtetimin e pronësisë për objektin;
Gjendja e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2020 (analitik);
Inventari i mjeteve të transportit në pronësi;
Pasqyra e aktiveve afatgjata material (ndërtesa).

Formati elektronik i kërkuar:

Pasqyrat financiare (pasqyrat e aktivit, pasivit dhe kapitalit), pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow), pasqyra e aktiveve afatgjata material, në version PDF (të skanuara) dhe në version Excel.

Pasqyrat financiare të dorëzuara në version PDF (të skanuara) detyrimisht duhet të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga administratori i shoqërisë.

Aneksi për shpjegimet sqaruese, raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë, kontratat e qirasë për ambientet e marra me qira dhe vërtetimi i pronësisë për objektet në pronësi, vetëm në version PDF (të skanuara).

Gjendja e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2020 (analitik), inventari i mjeteve të transportit në pronësi dhe pasqyra e aktiveve afatgjata material (Ndërtesa), në formatin excel, por me kushtin që version i deklaruar të jetë i pandryshueshëm.

Gjatë dorëzimit të pasqyrave financiare të vitit 2020, mbështetur në Ligjin 25/2018 datë 10.05.2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” neni 3, pika 18, në menunë Kontabiliteti – Bilanci vjetor, ju duhet të deklaroni edhe infomacionin e kërkuar, në lidhje me:

Hartuesin i pasqyrave finaciare (bilanc), ekonomistin e punësuar, kontabilistin e miratuar të licencuar ose shoqëria e kontabilitetit që ofron shërbimin e kontabilitetit.
Administratori i shoqërisë si dhe numri i tij i kontaktit.

Rubrikën e të ardhurave

Formatet e pasqyrave financiare dhe dokumentave shtesë janë si më poshtë:
Pasqyra e flukseve të mjeteve monetare Direkte.xlsx
Pasqyra e flukseve të mjeteve monetare Indirekte.xlsx
Pasqyra e ndryshimeve në kapitalet e veta.xlsx
Pasqyra e performancës (pasqyra e të ardhurave dhe të shpenzimeve) sipas funksionit.xlsx
Pasqyra e performancës (pasqyra e të ardhurave dhe të shpenzimeve) sipas natyres.xlsx
Pasqyra e pozicionit financiar.xlsx
Formati për Pasuri të Luajtshme (Makina).xlsx
Formati për Pasuri të Paluajtshme (Ndërtesa).xlsx

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.