Veliaj shpjegon listën: Vepruam si në familje, Luli dhe Mona siguruan veten të parët

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht dhe drejtues politik i Partisë Socialiste për këtë qark, ka zbuluar detaje nga strategjia e ndjekur nga kjo forcë politike për hartimin e listave që u shpallën një ditë më parë.

Gjatë një prononcimi në medie, Veliaj tha se në Partinë Socialiste është vepruar si në një familje ku janë vlerësuar së pari, emergjencat e kohës dhe profesionistët për zgjidhjen e tyre, më pas ata që kanë kontribuuar për vite, të cilët duhet shtyjnë më tej të rinjtë që përmes platformës “Deputeti që Duam” kërkuan të promovohen në politikë dhe në Partinë Socialiste.

“Unë mendoj që çdo parti duhet t’i përshtatet kohës ku jetojmë. Koha ku jetojmë sot është shumë e vështirë, sidomos me këto dy kriza që nuk i shkaktoi qeveria sic është pandemia, ashtu dhe tërmeti dhe besoj që ky mandat i ardhshëm do ketë një fokus shumë të madh te vaksinimi dhe rindërtimi, përfshi dhe procese të tjera si reforma në drejtësi. Kjo është arsyeja pse pjesa e parë e listës, duke filluar nga dy zonjat ikonë Luljeta Bozo dhe Najada Çomo do jenë simbolikisht të parat e listës, por ama e gjithë lista, duke filluar nga ministrat respektivë, si ministri i Rindërtimit ashtu edhe e ministrja e Shëndetësisë, pra skuadra e parë, 1/3-ta e listës ka të bëjë me reflektimin e kohës ku jetojmë. Një parti që ndryshon veten, ndryshon me hapin e kohës. Pjesa e dytë e listës është më e konsoliduar rreth titullarëve. Janë ish-kryeministra ish-ministra, njerëz që kanë kontribuar me vite në familje. Pjesa e treta është një kompromis për të promovuar djem e vajza të rinj që kanë aplikuar nga platforma nga “Deputeti që Duam”, por dhe shumë prej atyre të zhgënjyer nga fosilet e së vjetrës,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ndryshe nga PS, Luli dhe Mona kanë siguruar veten të parët në listat e partive të tyre.

“Partitë e tjera kanë llogjikë tjetër. Siguron veten Luli dhe Monika, “në djall vafshin ndjekësit”. Ne jemi filozofi tjetër. Ne themi familja, skuadra mbi të gjitha dhe i fundit është ai më i rëndësishmi, që ka më shumë reputacion. Logjika për të vënë personat më të rëndësishëm të qarqeve si ata që shtyjnë familjen përpara, është një praktikë që ne e ndjekim edhe në familjet tona,” shpjegoi kreu i bashkisë së Tiranës.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.