“PS zgjedhja e parë e shqiptarëve”/ Çuçi: Rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë s’mund ta bëjnë ata që ambicien e kanë sa një filxhan

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha sot se, “Partia Socialiste do të dali faqebardhë nga kjo fushatë, sepse kemi kandidatët më të mirë në Gjirokastër dhe në mbarë vendin”.

Në një reagim Çuçi duke i uruar suksese skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit, theksoi se, “jam plot shpresë dhe besim se bashkë do të shkruajmë një histori suksesi në këto zgjedhje, jo thjesht për mandatin e tretë qeverisës si qëllim në vetvete, por duke bashkuar mendjet dhe zemrat e të gjithëve, ne do të ndalim kthimin prapa të Shqipërisë”.

“Partia Socialiste do të jetë zgjedhja e parë e shqiptarëve. Rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë kurrsesi s’mund ta bëjnë ata që ambicien e kanë sa një filxhan. Punët që kemi nisur askush veç nesh s’mund t’i çojë përpara”, – tha Çuçi.

Ministri Çuçi u shpreh se, “është nder dhe përgjegjësi shumë e madhe për mua që do të vazhdoj të shërbej sërish në qarkun Gjirokastër bashkë me Mirelën, Laertin, Artemisën, Kostën dhe Kjarën. Sfida jonë më e madhe është të jemi në lartësinë e nevojave të qytetarëve dhe të përmirësojmë qeverisjen në çdo nivel”.

“Shqiptarët i kanë sytë nga ne dhe kërkojnë më shumë sepse nga kundërshtarët tanë nuk presin më asgjë. Shqipëria e ardhmja jonë”, – tha Çuçi.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.