Policia pjesë e operacionit ndërkombëtar antidrogë, arrestohen 5 shtetas në Vlorë

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Policia e Shtetit gjatë operacionit të zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali, Shqipëri dhe Gjermani nga FAST Albania, FNSH, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Interpol Tirana kanë kryer arrestimin e 5 shtetasve në qytetin e Vlorës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Gjatë operacionit “TIBUS”, në Vlorë, mëngjesin e sotëm janë arrestuar A. J., 25 vjeç, D. M., 23 vjeç, E. N., 27 vjeç, R. E., 31 vjeç dhe Z. A., 25 vjeç, banues në Vlorë, Shqipëri.
Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Romës, Itali ka lëshuar urdhër-arrestin për këta shtetas, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminal, dyshohen se nga data 01.06.2018 deri më 21.01.2019, kanë marrë pjesë në role të ndryshme në një organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Europës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, vijon procedurat për ekstradimin këtyre shtetasve drejt Italisë.
Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë seriozitet e besueshmëri tek partnerët për të luftuar së bashku krimin e organizuar dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm./k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.