Lista e PS-së në Korçë me përfaqësim të barabartë gjinor/ Peleshi: Do të çojmë përpara punën transformuese në mandatin e ri

TIRANE, 9 Mars/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, si drejtues politik i qarkut të Korçës, prezantoi sot skuadrën që do të çojë përpara punën transformuese të qarkut Korçë në mandatin e ri.

Peleshi tha se “ne besojmë te përfaqësimi i barabartë gjinor ndaj kemi 6 gra dhe 6 burra në listën tonë”.

“Ne besojmë te energjia e prurjeve të reja ndaj e fillojmë listën me Enin. Eni është Administratore e Universitetit Fan Noli, institucionit të vyer të dijes në qarkun tonë. Puna e saj si këshilltare në Këshillin Bashkiak e ka pajisur Enin me aftësinë e njohjes dhe zgjidhjes se problemeve në komunitet”, tha Peleshi.

“Ilir Topi përfaqëson zonën e Devollit si një djalë i Devollit që ka ngjitur rrugën e karrierës me aftësitë dhe punën e palodhur. Sot është drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ku njihet si model i punës se ndershme dhe të përkushtuar për të kryer me përgjegjësi detyrat shtetërore. Me përzgjedhjen e Ilir Topit duam të japim mesazhin e rrugës së hapur për të gjithë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë që kanë zgjedhur punën para fjalëve, përkushtimin para gjumit, ligjin para shkeljes së ligjit. Iliri do të punojë përkrah Edlirës, një bashkëpunëtore për të cilin ruaj respekt dhe admirim për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë në shërbim të njerëzve”, shtoi ai.

“Bledi do të punojë në Pogradec për t’i dhënë kësaj fushate eksperiencën e tij profesionale si jurist e së fundi si nënkryetar i Bashkisë së Pogradecit por edhe eksperiencën politike si drejtues i PS të Pogradecit për disa vite”, tha ai.

Ndërsa, Bea Spaho, sipas tij, “është modeli administratores që të bën të besosh se gjithmonë ka zgjidhje për problemet e qytetarëve kur puna bëhet me pasion dhe ndershmëri”.

“Performanca e shkëlqyer si drejtore e Agjencisë së Kadastrës në Korçë e ka sjellë Besë në listën përfaqësuese të PS për zgjedhjet e 25 Prillit”, tha ai.

“Dhora sjell energjinë e të rinjve me ambicie. Dhora ka drejtuar të rinjtë e organizatës sonë në Maliq për disa vite dhe sot i përfaqëson ata në listën tonë ku vjen përmes platformës së re “Deputeti që duam””, shtoi ai.

Peleshi tha se “Arjani vjen në listë si vlerësim për njerëzit që i dedikojnë një pjesë të madhe të jetës, halleve dhe problemeve të komunitetit, ndërsa Vasil Sterjofski, deputeti aktual i parlamentit shqiptar, vjen ne listë si vlerësim për minoritetin. Në Pustec do të fillojmë investimet e shumëpritura me mbështetjen e qeverise dhe Bankës gjermane KfW”.

“Me Oltën, Ilirianin dhe Blerinën do të japim më të mirën e eksperiencës sonë të fituar nga puna në parlament dhe qeverisje, për të sjellë më shumë punë, më shumë investime, më shumë projekte dhe zhvillim për qarkun e Korçës në mandatin e ri. Jemi një skuadër harmonike, me lidhje të forta me Korçën tonë, me dashuri për çdo cep të Korçës, Pogradecit, Devollit, Kolonjës, Maliqit e Pustecit, me ambicien për ta çuar Korçën çdo ditë një hap përpara. 7 mandate për Korçën”, tha ai.

Lista e PS-së në Korçë:

1. Eni Zake
2. Blerina Gjylameti
3. Ilir Pendavinji
4. Ilir Topi
5. Olta Xhacka
6. Niko Peleshi
7. Edlira Bode
8. Bledi Como
9. Besa Spaho
10. Dhora Dajko Shkembi
11. Arian Jaupllari
12. Vasil Sterjovski

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.