Lista e kandidatëve për deputetë e PD-së/ Endira Bushati: Po aq “fituese” sa ajo e 2017, asgjë që të ngjall shpresë

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Ish-anëtarja e Kryesisë së PD-së, Endira Bushati, ka reaguar sot lidhur me listën e publikuar nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit duke e konsideruar atë “asgjë inspiruese, që të ngjall shpresë”.

Bushati shprehet se kjo listë është “gjë e gjykuar” dhe zgjedhësit e kanë “gjykuar” një herë në 2017.

“Ne bis in idem. Është parimi “jo 2 herë mbi të njëjtën gjë”… Parim dhe i së drejtës nga rrjedh parimi i “gjësë së gjykuar”… Lumi nuk kalon 2 herë në të njëjtin vend – është shprehja e vjetër. Lexova Listën e PD-së….. m’u duk po aq “fituese” sa ajo e 2017.
Teksa, Topalli, në 2 muaj parti, përbën risinë e këtyre zgjedhjeve me një ansambël profesorësh, intelektualësh, të rinj e të rejash të shkolluar në Perëndim, duke respektuar kërkesën e publikut për ekspertizë, qytetari e ndryshim”, – thekson Bushati.

Sipas saj, teksa, një Ramë i lodhur e i konsumuar, kthen përmbys gjithë PS-në, vë “në fije të perit” gjithë “të sigurtët”, që të lodhen nëse duan mandat, që dëshmon ambicien, nervin, energjinë për të fituar “me çdo kusht”.

“Basha, pasi mori “të rrëzuarit” e Komisionit Nishani-Ruli, pasi gënjeu se deputetët do t’i zgjidhnin demokratët, pasi u tall me gjysmën e Kryesisë, përsëri në 12 të natës, nxori Listën e vet. Hoqi disa, vuri disa… Por ASGJË E RE! Asgjë inspiruese, që të ngjall shpresë, që “s’ke ç’i thua”. Emra të ndryshëm, zëri i njëjtë…. ai i Kryetarit. Kjo Listë është “gjë e gjykuar”! Zgjedhësit e kanë “gjykuar” një herë në 2017! Asnjë çudi për mua e të tjerë:
Basha, përveçse përtac, si çdo trashëgimtar që i lihet pasuri e madhe, as nuk di, por as nuk do! Ai bëri partinë e vet, që i duhet ta ketë biznes dhe për dekadën tjetër”, – tha Bushati. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.