Dionis Imeraj pjesë e skuadrës së PS në Dibër: Një sfidë dhe përgjegjësi e re, do arrijmë objektivat

TIRANË, 9 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj i është bashkuar listës së kandidatëve për deputetë të PS-së.

Ai shprehet se kjo është një sfidë dhe përgjegjësi e re, ndërsa thekson se do të arrijmë objektivat e PS-së për qarkun Dibër.

“Siç tanimë jeni informuar, kam vendosur t’i bashkohem padiskutim ekipit fitues të Partisë Socialiste për qarkun Dibër në zgjedhjet e 25 Prillit e të përfaqësoj Dibrën në Kuvendin e Shqipërisë.  Absolutisht që nuk ishte një zgjedhje e lehtë midis lënies së mandatit të votbesuar para 1 viti e gjysmë nga ju si kryebashkiak dhe kësaj “beteje”, por duke ditur nga afër çdo problematikë, çdo hall, çdo shqetësim tuajin, çdo mundësi e oportunitet që ofron Dibra, dëshira për të qenë një zë i fuqishëm i Juaji, dhe i kësaj krahine me potencial të jashtëzakonshëm, prevaloi mbi detyrën që mbaja. Kini besim se çdo punë e mirë, çdo investim i nisur nga unë në bashkinë e Dibrës, do të vijojë njësoj, me të njëjtin përkushtim, sepse Dibra si kurrë herë më parë, është në rrugën e duhur të transformimit e zhvillimit”, shprehet ai

Po ashtu, Imeraj shton se, “duke kërkuar mirëkuptimin e gjithsecilit prej jush dhe duke ju falenderuar nga zemra për mbështetjen e pakursyer që më keni dhënë deri më tani në administrimin e bashkisë Dibër, zotohem që edhe në vazhdim do të jem shërbëtori juaj”.

“Duke shpreh mirënjohjen e thellë për besimin e dhënë Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe kryetarit Edi Rama, bashkë me ekipin tjetër do të angazhohem maksimalisht për arritjen e objektivave të vendosura për zgjedhjet e 25 Prillit”, shprehet ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.