BELGJIKË – Operacion i gjerë policor kundër krimit të organizuar

BRUKSEL, 9 mars /ATSH-AFP/ – Një operacion i gjerë policor kundër krimit të organizuar u krye sot në Belgjikë duke mobilizuar më shumë se 1 500 policë të mbështetur nga njësitë speciale në mbarë vendin, bëri të ditur prokuroria federale.

”Në përfundim të 200 kontrolleve në banesa, më shumë se 10 arrestime u zhvilluan në orët e para të mëngjesit dhe disa qindra mijëra euro u sekuestruan”, theksoi një burim gjyqësor duke folur për një operacion që parashikonte një organizatë kriminale të shtrirë në vend.

Sipas prokurorisë federale bëhet fjalë për një prej operacioneve më të mëdha të organizuara ndonjëherë në territorin belg për sa i përket efektivëve të angazhuar.

Operacioni synon në veçanti trafikantë droge, veçanërisht të përfshirë në trafikun e kokainës, me degëzime ndërkombëtare.

“Por, në këtë fazë, Belgjika po ndërhyn e vetme në operacion pa qenë e nevojshme të kërkojë vende të tjera”, nënvizoi Eric Van Duyse, zëdhënësi i zyrës së prokurorisë federale.

Porta kryesore në Europë e kokainës së ardhur nga Amerika e Jugut, porti gjigant i Antverpës ka qenë rregullisht skenë e operacioneve policore dhe sekuestrimeve doganore.

Në vitin 2020, autoritetet belge kapën rreth 65,5 tonë kokainë në Antverpë, një rekord i ri./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.