Skuadra kombëtare e 25 prillit/ Shpirti i vetëndryshimit, në ADN e familjes së madhe politike të PS-së

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se fuqia e vetëndryshimit është një nga fuqitë e brendshme kryesore që e bën Partinë Socialiste një forcë të paplakshme dhe të pakonkurrueshme në arenën politike të Shqipërisë.

Në fjalën e tij në konferencën për prezantimin e objektivave për zgjedhjet e 25 Prillit, Rama tha se, “sot do të zyrtarizojmë në kryesinë e partisë përmes një formati hibrid të imponuar nga kohët që kalojmë, pjesërisht në tryezë dhe pjesërisht në zoom, formacionin e skuadrës sonë kombëtare për ndeshjen e 25 prillit”.

“Dua të ndaj paraprakisht me publikun disa fjalë mbi procesin dhe objektivat tona. PS ka lindur nga vullneti i posaçëm i vetëndryshimit dhe shpirti i vetëndryshimit është në ADN e kësaj familje të madhe politike. Ndryshimi është pika e parë e manualit të Partisë Socialiste, të cilën e kishte si pikë referimi Fatos Nano më parë dhe unë jam përpjekur ta forcoj edhe ta gdhend edhe më fort në vetëdijen e kësaj partie, i bindur se fuqia e vetëndryshimit është një nga fuqitë e brendshme kryesore që e bën PS një forcë të paplakshme dhe të pakonkurrueshme në arenën politike të Shqipërisë”, – nënvizoi Rama.

Kësaj fuqie, vijoi Rama, i dedikohet fakti që ne jemi sot e gjithë ditën në krye të konkurrencës politike dhe mbetemi alternativa më e pëlqyer e shqiptarëve.

“Pavarësisht se nuk jemi as pa të meta, as nuk jemi pa gabime, as nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka, pikërisht edhe sepse askush më mirë se ne nuk di të vetëndryshojë. Për të ardhur deri këtu në këtë moment përfundimtar të seleksionimit të lojtarëve që do të hyjnë në fushën e ndeshjes së 25 prillit ne kemi vendosur prej kohësh piketat e procesit të seleksionimit, dhe ndryshe nga herët e tjera kemi interferuar në këtë proces edhe një mekanizëm të ri për thithje të lojtarëve më të rinj platformën dixhitale “Deputeti që duam”, e cila ka pasur një shprehje prekëse interesi nga shumë të rinj e të reja, mbi 1500, dhe prej të cilës ne kemi mundur të mësojmë shumë lidhur me kapacitetet e mundshme në dispozicion”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “krejt ky proces ka pasur si bosht të vetin udhëheqësit politikë të qarqeve dhe është bazuar në një hulumtim gradual të kapaciteteve në dispozicion, të cilat jemi munduar ti shtojmë, për ta pasur një fushë zgjedhje me sa më shumë lojtarë të mundshëm në momentin e përzgjedhjes”.

Më tej Kryeministri Rama tha se, “bazuar po ashtu në një hulumtim të vëmendshëm të pritshmërive të publikut, të cilat jemi munduar ti analizojmë me shumë mënyra, natyrisht me kontaktet e vazhdueshme në terren, me interesimin e vazhdueshëm në komunitet dhe grupe interesi, por edhe duke u mbështetur edhe tek anketimet e bëra qoftë brenda partisë, por edhe në shkallë kombëtare, apo qarqesh me të cilat i kemi bërë në mënyrë të përmuajshme, flas për anketimet në shkallë kombëtare dhe qarqesh”.

“Po ashtu në gjithë formimin e kësaj skuadre ne kemi pasur në vëmendje karakteristikat e kundërshtarëve, qasjet e tyre ndaj problemeve, dhe patjetër edhe ballafaqimin analitik mes lojtarëve. Padiskutim, mbase juve ju surprizon, por një pjesë e rëndësishme në këtë proces ka qenë mbledhja dhe analiza e gjykimeve apo paragjykimeve mediatike ndaj nesh duke ndjekur në mënyrë të veçantë edhe rrjetet sociale”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “vetë dinamika e zhvillimeve sociale dhe politike në kohë është shumë e rëndësishme, por në fund, por jo për nga rëndësia, udhërrëfyes për ne kanë qenë objektivat dhe mbi bazë të të gjitha këtyre që thashë ne kemi përcaktuar objektivat për çdo qark dhe në nivel kombëtar”.

“Skuadra e re do të jetë mishërim i një përpjekjeje të sinqertë për të harmonizuar eksperiencën, që është një burim shumë i pasur dijeje dhe aftësije qeverisëse e PS-së, me energjitë e reja, burimet e brendshme njerëzore, me prurjet e reja, të cilat besoj rezonojnë mirë me nevojën e publikut, qoftë për të ashtuquajturat “fytyrat e reja”, por pa harruar se ne nuk jemi këtu thjesht që të fitojmë zgjedhjet e pastaj shohim e bëjmë, por sepse ne jemi forca që qeveris dhe që do të qeverisë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se, “ne duhet të vazhdojmë të garantojmë suksesin e betejave tona për Shqipërinë, që do të thotë që ne nuk na lejohet që të bëjmë skuadra e programe elektorale sa për të marrë vota, pasi ne kemi detyrimin që të jemi shumë të qartë e konkretë dhe të garantojmë rezultatet e duhura në vazhdimësinë e qeverisjes, me një skuadër të fortë në zgjedhje dhe me një skuadër të fortë në qeverisje. Me një program të mirë për t’u dëgjuar gjatë fushatës, por me një program të mirë për t’u zbatuar gjatë ushtrimit të mandatit të tretë”.

“Skuadrat përbërëse të çdo qarku janë produkt i propozimeve të drejtuesve të qarqeve, por këtë herë procesi ka qenë më i strukturuar”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.