Sigurimi i përgjegjësisë së përdoruesit të automjeteve/ Primet në janar llogariten 811 milionë lekë

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik që lidhen me sigurimin e përgjegjësisë së përdoruesit të automjeteve për dëmet shkaktuar palëve të treta, gjatë muajit janar të këtij viti arritën rreth 811 milionë lekë, ose 6.18 % më pak se në janar 2020.

Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), produkti MTPL e brendshme, pati një ulje prej 1.32 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua me një rritje të lehtë të numrit të kontratave prej 0.39 % krahasuar me janar 2020.

Produkti Karton Jeshil pati një ulje prej 33.44 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 49.43 % krahasuar me janar 2020.

Produkti Sigurim Kufitar gjatë muajit janar 2021, pati një rritje 13.39 % të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me janar 2020. Numri i kontratave gjithashtu u rrit me 5.71 %. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.