Raporti i parë i vlerësimit të ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri”/ Shqipëria ka ndërtuar një mekanizëm gjithëpërfshirës

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Në kuadër të projektit të Rrjetit të Komisioneve për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore në Ballkanin Perëndimor (HUGEN) është përgatitur dhe publikuar raporti i parë i vlerësimit të ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri”.

Ky raport sjell informacion për praktikën aktuale të Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e zbatimit të ligjeve dhe ndikimin e tyre në shoqërinë shqiptare, si dhe prezanton gjetjet e kontrollit postlegjislativ për ligjin e Barazisë Gjinore në Shoqëri, ku jepen edhe rekomandime për procesin e përmirësimit të tij në të ardhmen, njoftoi sot Kuvendi i Shqipërisë.

Ndër gjetjet kryesore të raportit renditet fakti se vitet e fundit janë bërë përpjekje për të rritur kapacitetin e Kuvendit për të kryer vlerësime dhe analiza të legjislacionit, kryesisht për reforma të rëndësishme dhe me ndikim të madh, si Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore ose Reforma administrativo-territoriale.

“Një rishikim i fundit i Rregullores së Brendshme të Kuvendit të Shqipërisë përfshiu dispozita për vlerësimin ex post, sidomos për legjislacionin e përafruar me acquis të BE-së. Miratimi i një neni të ri, nenit 103/32 parashikon që për legjislacionin e përafruar duhet të ketë një rishikim të pjesëve të legjislacionit jo më vonë se 3 vjet pas zbatimit. Rregullorja gjithashtu përcakton një plan vjetor për kryerjen e vlerësimit ex post”, thuhet në raport, ndërkohë që është vlerësuar si tepër pozitiv fakti që konteksti politik i Shqipërisë është bërë gjithnjë e më favorizues për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e barabartë të grave e burrave në proceset e rëndësishme vendimmarrëse”, theksohet në raport.

Ndër gjetjet e tjera të raportit është fakti se Shqipëria ka ndërtuar një mekanizëm gjithëpërfshirës për gjininë që shtrihet nga niveli lokal në atë kombëtar dhe nga pushteti legjislativ tek ai ekzekutiv e më gjerë. “Ligji për Barazinë Gjinore është një nga mjetet më të rëndësishme në luftën për barazi gjinore në shoqërinë shqiptare, pasi përcakton kornizën institucionale dhe atë të politikave për të luftuar diskriminimin dhe pabarazitë me bazë gjinore. Ligji për Barazinë Gjinore është bërë funksional përmes zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore, aktualisht në përsëritjen e tij të tretë (2016-2020). Që nga miratimi i tij në vitin 2008, ligji nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Gjashtë akte nënligjore janë miratuar që prej miratimit të LBGj-së”, thuhet në raport.

Ky raport u përgatit me mbështetjen e nismës së Fondacionit për Demokraci Westminster (WFD) dhe Nënkomisionit për Barazi Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës kundër Grave dhe Nënkomisionit Për të Drejtat e Njeriut, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. WDF-ja zbaton një program rajonal që synon forcimin e bashkëpunimit mes parlamenteve në Ballkanin Perëndimor, përmes krijimit të një rrjeti rajonal me komisionet të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.