Plan veprimi 2021-2025/ Stimulim për rikthimin dhe investimin e emigrantëve në vendlindje

TIRANË, 8 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “plani i veprimit i qeverisë për periudhën 2021-2025 ka si qëllim të nxisë emigrantët shqiptarë të shohin nga Shqipëria një mundësi të re”.

Rama tha se “vizioni im i Shqipërisë 2030, është një vend ku zgjedhja e parë të jetë Shqipëria dhe jo emigrimi”.

“Kjo nuk është thjesht një dëshirë e madhe, por edhe një drejtim i mbështetur në projeksionet realiste të rritjes së ekonomisë së Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme, si dhe në vlerësimet e konjukturës europiane sidomos nën efektet afatmesme dhe afatgjata të pandemisë në ato vende ku janë edhe përqendrimet më të mëdha të emigracionit shqiptar”.

“Kemi punuar me një grup të gjerë të skuadrës sonë, anëtarë qeverie, ekspertë të qeverisë, ekspertë ndërkombëtarë dhe patjetër që për të gjitha këto që themi duhet një plan. Këta elementë të analizuar janë aty, por nëse nuk e shfrytëzojmë ndryshimin e kësaj rrjedhe duke e parë projeksionin e emigracionit në funksion të një dekade gjërat mund të mos shkojnë në drejtimin e duhur”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ky plan ka qëllim të nxisë emigrantët shqiptarë të shohin nga Shqipëria një mundësi të re”.

“Ditët dhe javët në vijim do të jenë momente të njëpasnjëshme shpalosje të këtij plani. Unë jam plot shpresë dhe gjithë besim se Shqipëria mund dhe do të bëhet në këtë dekadë një vend shumë më i favorshëm për gjithkënd, si për ata në emigracion edhe për të rinjtë”.

“Shqipëria e kësaj dekade do të jetë destinacioni më i kërkuar turistik i këtij rajoni, destinacioni më tërheqës i Mesdheut. Shqipëria e kësaj dekade mund dhe do të rrisë me disa herë akoma kapacitetet e saj eksportuese në bujqësi. Shqipëria e kësaj dekade mund dhe do të bëhet një qendër e gravitetit rajonale në sektorin e teknologjisë dixhitale”, tha Rama.

“Plani ynë i veprimit 2021-2025 i shtron këto çështje në mënyrë konkrete. Ne do t’u ofrojmë emigrantëve një perspektivë të re mbi vendlindjen, duke stimuluar kthimin e tyre në vendlindje, apo rrugë të reja për të investuar kursimet e tyre këtu, duke filluar dhe shtuar gradualisht, por konsiderueshëm në 4 vitet e fundit këtë proces rikthimi fillimisht si një proces rikthimi të parasë së tyre me të gjitha argumentat dhe provat e përfitueshmërisë më të lartë se sa ajo nga puna e lodhshme e zakonshme e përditshme në emigracion”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama theksoi se “në afat të gjatë, këto faza emigracioni prodhojnë për vendin shumëçka vendi nuk e prodhon dot kurrë, dije dhe eksperienca që merren jashtë tij dhe që i kthejnë atij mbrapsht gjatë rrugës të mira shumë të konsiderueshme”.

“Pa emigracionin, asnjë prej vendeve nuk do të ishin këtu ku janë sot”, tha Rama ndërsa solli shembullin e Irlandës.

Kryeministri tha se “shenjën domethënëse të impaktit pozitiv të edukatës e punës në emigracion e kemi parë në Shqipëri pas krizës financiare që tronditi krejt Europën”.

Rama solli në vëmendje një studim të detajuar të universitetit të Harvardit, sipas së cilit,pas kësaj krize, deri në vitin 2014 janë 134 mijë të kthyer në Shqipëri vetëm nga Greqia. “Janë djem dhe burra, të cilët janë angazhuar mes viteve 2011-2014 në numra të konsiderueshëm veçanërisht në bujqësi mbi 50% e tyre. Kthimi i tyre dhe angazhimi në punë ka zbutur me afro 70% impaktin goditës mbi ekonominë shqiptare të rënies pikiatë të remitancave si pasojë e asaj krize”, tha Rama.

Sipas tij, “studimi i Harvardit thotë se emigrantët e kthyer janë angazhuar në vetëpunësim si dhe në nisma sipërmarrëse në fshat”. “Këto nisma që i kemi parë të fillojnë të japin kontribut vit pas viti kanë nxjerrë shumë njerëz nga papunësia e fshatit duke i tërhequr drejt një bujqësie sipërmarrëse. Ky koncept ka qenë një qëllim prioritar i yni dhe fara është hedhur nga ata që kanë ardhur nga emigracioni. Studiuesit e Harvardit thonë se emigrantët e rikthyer kanë treguar shpirt sipërmarrës më të fortë. Të rikthyerit krijojnë punë për vete dhe të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “rritja e fuqishme e eksporteve gjatë këtyre viteve është e lidhur me eksperiencat e krijuara në emigracion dhe me rolin e emigrantëve të rikthyer apo një numër emigrantësh që vijnë dhe investojnë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.