Mazi: Shqipëria do të negociojë 34 kapituj të korpusit legjislativ të BE-së, kontributi i diasporës me peshë

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Kryenegociatori Zef Mazi deklaroi sot se Shqipëria do të negociojë 34 kapituj të korpusit legjislativ të Bashkimit Europian dhe se kontributi i diasporës do ketë peshën e vet në këtë proces.

Duke folur në ceremoninë e prezantimit të 35 ekspertëve të IOM, që i përkasin diasporës shqiptare, të cilët janë pjesë e programit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, Mazi u shpreh se, politikat e shëndosha për emigracionin, respektimi i aftësive dhe njohurive të tyre, në gjithë dimensionin, është në të mirë të vendit të tyre të origjinës. Parë në dritën e negociatave për aderimin e Shqipërisë në BE, unë e konsideroj me rëndësi bashkëpunimin që kemi vendosur me ministrin Majko për diasporën”.

“Shqipëria do të negociojë 34 kapituj të korpusit legjislativ të Bashkimit Europian. Negociatat do të vazhdojnë për disa vite. Do të dalë nevoja që aftësitë, ekspertiza dhe përvojat në fusha të ndryshme, nivelet e larta të njohurive, lidhjet që ka vendosur diaspora, të shihen nga afër. Kontributi i diasporës do ketë peshën e vet. Kur ka qartësi ku e për çfarë, në ç’drejtim, në cilën fushë specifike, do procedohet bashkarisht që të krijohen ato që do i quaja, “shporta të njohurive, të mendjes””, tha Mazi.

“Diaspora shqiptare po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë. Ekziston nevoja për të mbështetur mënyra të reja për promovimin e angazhimit të diasporës, për të ruajtur dhe forcuar lidhjen e tyre me Shqipërinë dhe për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe shoqërore të vendit”, theksoi ai.

Duke folur për programi, Mazi vlerësoi se, “ky program i hartuar me kujdes ka rëndësi të veçantë për vendin tonë. Diaspora shqiptare ka mundësinë të kontribuojë në mënyrë teknike për procesin e integrimit europian të Shqipërisë”.

Mazi shprehur besimin se, “të gjithë pjesëmarrësit në këtë program do të realizojnë një performancë të mirë. Fokusi i punës së tyre në dikasteret ku do të atashohen do jenë prioritetet politike dhe strategjitë kryesore të vendit në kuadër të integrimit europian, me përqasje sektoriale, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik, etj.”.

“Në tërësi, për vendin tone, ka shume rëndësi përparimi i vazhdueshëm në fushën e reformave dhe zbatimi i prioriteteve. Teknikisht rëndësi të madhe merr planifikimi strategjik, koordinimi sa më i mirë dhe lidhja e punës me kapitujt përkateë të acquis”, u shpreh Mazi.

“Kontributi i këtyre profesionistëve që janë vendosur në vendet e Europës perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerë e shtuar për ministritë e linjës, si MFE, Ministria e Arsimit, etj. Kur vendi ka nevojë, diaspora jonë ka demonstruar se ajo i është përgjigjur mjaft pozitivisht, me zemër. Të punosh për të ndihmuar vendin tënd në këtë rrugë historike – integrimi në BE – është nder”, theksoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.