Mandati i tretë i PS-së/ Shqipëria në 2030, një vend ku atdheu është e ardhmja dhe emigracioni e shkuara

TIRANË, 8 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “Shqipëria në 2030, do të jetë një vend ku atdheu është e ardhmja dhe emigracioni e shkuara”.

Rama tha se “ky është vizioni im, i mbështetur në një plan të mirëmenduar qeverisje dhe i i punës në mandatin e tretë të Partisë Socialiste, për ta kthyer me pasion dhe durim Shqipërinë e kësaj dekade në zgjedhjen e parë të çdo shqiptari”.

“Gjenerata ime ka jetuar deri këtu një jetë të ndarë me thikë në dy pjesë, në dy drejtime të kundërta, në dy botë të mbivendosura mbi njëra-tjetrën si dita sot me natën dje. Gjysma e parë në izolim ekstrem, të rrethuar nga muret e pakapërcyeshme të kështjellës sonë buzë Adriatikut. Ne u rritëm pa të drejtën e lëvizjes së lirë, madje as brenda vendit nuk lëviznim dot lirisht. 45 vitet e jetës në atë kështjellë haluçinante janë e vetmja periudhë e shqiptarëve mbi tokë pa emigracion, se si para, edhe pas kësaj periudhe të errët shqiptarët hyjnë pa frikë ndër popujt më të lëvizshëm të Europës. Kemi ikur e do ikim e do të kthehemi. Janë trende që kanë variuar e do variojnë gjithnjë sipas fazave të zhvillimit të vendit”, tha Rama.

Rama tha se, “ky është fakt dhe këtë fakt nuk e luan do asnjë top propagande politike apo balte mediatike”. “Në këtë fazë ku kemi hyrë prej 3 dekadash më shumë kemi ikur se sa jemi kthyer dhe këtë fakt askush nuk e ndryshonte dot, sepse nga njëra anë efekti i kundërt i 45 viteve izolimi të dhunshëm nuk kishte si të mos ishte po aq ekstrem. Kush, si dhe pse mund ta përmbante këtë furi biblike pa cenuar lirinë e lëvizjes drejt atyre vendeve ku niveli i jetesës është shumë më i lartë?” – tha Rama.

Jo më kot, tha ai, “krahasuar me vetveten, Shqipëria ka bërë në këto 30 vite të fundit progresin më të madh në ato shifra se sa krejt vendet e tjera ish-komuniste, gjithmonë krahasuar me veten e tyre dhe po ashtu në vitet e trancizionit ku Shqipëria i shkaktoi vetes dëme dhe vonesa që asnjë vend tjetër ish-komunist nuk i pësoi në kurriz”.

“Shqipëria doli nga komunizmi si vendi më i sfilitur. Pa emigracionin masiv që pasoi izolimin ekstrem, Shqipëria do të ishte një i vdekur klinik i shtrirë përtokë në mes të Europës. Me qeverisje më të mirë, me reforma të mirëmenduara dhe nëse do të ishin evituar ato bam-bumet e pambarimta, padiskutim që sot do të kishim shkuar shumë më para. Imagjinojeni sa shumë kohë humbëm duke vjedhur dritat, shpërdoruar ujin, bërë lesh e li pronën, rrumpallizuar arsimin, lënë pas dore krejt shëndetësinë, etj.”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “humbëm shanse të mëdha për krejt një gjeneratë, atë që lindi në vitet 1990 dhe u rrit në një vend kaotik, ku qeverisja ishte muzikë pa partiturë, ndërkohë që fëmijët rriteshin me nota e diploma gjithnjë e më false”.

“Sikur reformat që ne nisëm me vizion, guxim dhe shumë vendosmëri në Shqipëri, vetëm 7 vjet më parë, të ishin nisur 27 vjet më parë, Shqipëria sot do të ishte më e pasur, më e zhvilluar dhe më e drejtë”.

“Sot nuk do flisnim as për Vetingun, as për ujin, as për fijet e elektrikut që ende duhen zëvendësuar, as për shkollat ku ende nuk është vënë dorë në pika të caktuara, as për rrugët që ende duhen bërë në plot pjesë të Shqipërisë rurale, as për spitale e qendra shëndetësore ku ende duhet punë për t’i sjellë në terezi. Nëse nuk do të flisnim për këto dhe nëse nuk do të kishim humbur kaq shumë kohë, por edhe sikur këto të gjitha t’i kishim bërë askush të mos e mendoj se nuk do flisnim për emigracion, sepse sidoqoftë nuk do ishim bërë as Gjermani, as Francë dhe të rinjtë nuk do t’i frenonte dot askush”, tha Rama.

Rama tha se, “kontrasti do të vazhdonte të ishte i fortë dhe do të ishim mbase pse jo, si Kroacia, e cila megjithë diferencat që ka sot me ne nuk e ka ndaluar emigracionin, përkundrazi, ikja e forcave të punës është një shqetësim i madh kombëtar edhe në Kroaci”, tha Rama.

Por Kryeministri tha se, “numrat e ikjeve këtu do të kishin qenë patjetër më të ulëta, po të mos kishte pasur 1997-1998, apo më pas, po të mos ishte krijuar ideja e gabuar se Gjermania kishte hapur dyert e mezi po priste të shkonim edhe ne”.

“Në të gjitha rastet, sido që ta diskutojmë, loja politike me shifrat e emigracionit si baltë kundër qeverisë në përpjekje sa të dëshpëruar, aq edhe të ulët për të krijuar idenë se ‘po iku kjo qeveri e poshtër shqiptarët do kthehen e të flenë gjumë si Luli, është neveri. Dhe po ashtu, është shumë sekëlldi fakti që në mjedisin tonë publik, debati për këtë temë nuk ka shkuar asnjëherë përtej politikës së sherrit e baltosjes duke thënë se si ‘Rama përzuri 1 milion, erdhi Rama ikën 600 mijë shqiptarë'”, shtoi Kryeministri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.