Koncesioni i aeroportit të Rinasit/ Balluku: Bisedimet nisën në janar të 2020-ës

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkoi sot nga Kuvendi rrëzimin e dekretit të Presidentit për kthimin e marrëveshjes së ndryshuar të koncesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport”, “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë”.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Balluku tha se marrëveshja e arritur përbën një hap të madh në objektivin për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe sigurisë, e cila shtoi ajo, disa herë është kompromentuar.

Sipas Ballukut, afatet e negocimit të kontratës nuk janë ato që pretendohen nga Presidenca, por kanë nisur në muajin janar 2020.

“Lidhur me pretendimet e ardhura nga Presidenca për afatet e negociimit, dua të bëj të ditur se kjo nuk është marrëveshje ndërkombëtare, por bëhet fjalë për një kontratë koncesionare dhe si e tillë janë zbatuar të gjithë hapat ligjorë për të përmbushur çdo kërkesë për rinegocimin e kësaj kontrate. Gjithashtu duhet patur parasysh se rinegocimi ka nisur në janar të vitit 2020 dhe ka marrë më shumë kohë për shkak të COVID-19”, deklaroi Balluku.

Por vuri në dukje ajo, rinegocimi për kontrata koncesionare bëhet me kompaninë koncesionare e jo me aksionarin, pasi është pretenduar nga Presidenca se aksioneri është ndryshuar dhe brenda një muaji është rinegociuar dhe ndryshuar kontrata.

“Nuk është e vërtetë. Ne e kemi nisur këtë rinegocim në janar të 2020-s dhe në këto kushte është marrë e gjithë koha e duhur. Ndryshimi i aksionarëve nuk përbën ndryshimin e shoqërisë koncesionare. Ne ulemi me përfaqësinë e shoqërisë koncesionare dhe ne jemi ulur nga janari 2020”, u shpreh ministrja.

Ministrja u ndal edhe në elementët e rinegociuar të kësaj kontrate.

“Falë këtij rinegocimi koncesionari do të shtojë investimet me rreth 99 milionë euro, do të rrisë shërbimet, do të çojë në 4 E nga 4 C kategorinë me zgjatimin e pistës e përmbushjen e kushteve të sigurisë e cila është kompromentuar disa herë“, deklaroi ajo.

Njëkohësisht, Balluku u shpreh se koncesionari ka marrë përsipër të gjitha sanksionet e vendosura nga shteti në rast mospërmbushjeje të kritereve të vendosura në kontratë.

Balluku theksoi se qeveria shqiptare ka një strategji të mirëfilltë në fushën e aviacionit civil.

Sipas saj, së shpejti nisin fluturimet nga Kukësi, ndërsa e cilësoi sukses përzgjedhjen e kompanisë “Mabetex” të udhëhequr nga Behgjet Pacolli për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.