FRANCË – Rritje e mprehtë e pranimeve COVID-19 në kujdesin intensiv

PARIS, 8 mars /ATSH-AFP/ – Numri i pacientëve COVID-19 në njësitë e kujdesit intensiv në Francë u rrit ndjeshëm sot, me situatën që u bë sërish kritike në rajonin e Parisit, ku spitalet janë urdhëruar të shtyjnë operacionet jourgjente përballë fluksit të pacientëve.

Reanimacionet, ku shtrohen rastet më të rënda, numëruan sot 3 849 pacientë, përfshirë 381 pacientë në 24 orët e fundit, sipas autoriteteve shëndetësore.

I ulur nën nivelin e 2 600 pacientëve në fillim të janarit, ky tregues ka vazhduar të rritet që atëherë dhe tani është në nivelin e fundit të nëntorit 2020.

“Rajoni i Parisit është në një situatë presioni shumë të fortë”, tha drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Rajonale të Shëndetit (ARS), Aurélien Rousseau.

Si rezultat, ARS i Ile-de-France u dha urdhrin e vendosur spitaleve dhe klinikave për të shtyrë 40% të veprimtarive të tyre më pak urgjente mjekësore dhe kirurgjikale, me qëllim rritjen e kapacitetit spitalor.

“Situata është shumë shqetësuese, me variantin britanik, më ngjitës, që ka fituar epërsinë dhe po përhapet shumë më shpejt”, paralajmëroi kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, në radion publike France Inter.

Autoritetet franceze, për të cilët bllokimi i përgjithësuar është një mundësi e fundit, kanë dekretuar mbylljen e fundjavës në departamentin e Pas-de-Calais (në veri), në Dunkirk (në veri) dhe në bregdetin e Alpes-Maritimes (juglindje)./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.