FOKUS – Meghan dhe princi Harry sulmojnë rëndë mbretërinë britanike

LOS ANXHELES, 8 mars /ATSH-ANSA/ – Unë ndenja e heshtur, ata nuk më mbrojtën nga sulmet denigruese të medias si dhe më mohuan ndihmën kur mendova vetëvrasjen janë disa nga akuzat e bëra kundër shtëpisë mbretërore britanike nga dukesha e Sussex, Meghan, në një intervistë të përbashkët me bashkëshortin, princin Harry, pas largimit nga Buckingham Palace.

Një intervistë e gjatë dyorëshe në oborrin e shtëpisë në Los Anxheles, dhënë për të famshmen amerikane Oprah Winfrey e transmetuar mbrëmë nga kanali CBS, i cili e bleu atë për të paktën 6 milion euro (7 milionë dollarë) dhe e shiti atë në 68 vende.

Sidoqoftë, çifti konfirmoi se nuk kishte marrë asnjë shpërblim.

Në bisedën e gjatë erdhi edhe njoftimi që fëmija i tyre i dytë do të jetë vajzë dhe do të lindë në verë.

Sidoqoftë, çifti shmangu sulmi frontal kundër mbretëreshës Elizabeth II.

“Ne e respektojmë shumë atë. Ekziston familja mbretërore dhe ka njerëz që drejtojnë institucionin, ato janë dy gjëra të ndara dhe është është e rëndësishme të jesh në gjendje t’i ndash sepse mbretëresha ka qenë gjithmonë e mrekullueshme me mua”, shtoi Meghan.

Por, kjo nuk e ndaloi ish-aktoren amerikane për të sulmuar Pallatin Buckingham duke evokuar gjithashtu akuza për racizëm.

“Në muajt kur isha shtatzënë me foshnjën time të parë ata na thanë se ai nuk do të kishte të drejtë për asnjë titull mbretëror dhe siguria për të nuk do të ishte e garantuar. Kishte edhe shqetësime dhe biseda rreth asaj se sa e errët ​​do të ishte lëkura e tij kur të lindte”, theksoi ajo pa i specifikuar personat.

Meghan pranoi se kishte hyrë në shtëpinë mbretërore, për të cilën ajo dinte pak ose aspak.

”Por, pasi u martuan gjithçka filloi të përkeqësohej. Unë nuk isha e mbrojtur. Në të vërtetë ata ishin të gatshëm të gënjenin në emrin tim në mënyrë që të mbronin të gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, tha Meghan.

“Problemet filluan menjëherë. Gazetat më akuzuan se kam bërë të qaj kunatën time, Kate. Në realitet ishte e kundërta. Isha unë ajo që qava dhe ajo madje kërkoi falje duke më dërguar lule dhe një kartolinë. Kur historia u bë publike, Kate kurrë nuk e mohoi atë. Që atëherë isha viktimë e një fushatë autentike denigrimi dhe aludimesh racore në shtyp. Ata e kthyen rrezikun e përgjithshëm në kërcënim me vdekje”, shtoi Meghan.

“U ndjeva dëshpërimisht e vetme dhe e braktisur. Unë nuk doja të jetoja më”, u shpreh ajo duke denoncuar se ”ata i mohuan ndihmën e saj psikologjike për të shmangur sikletin”.

“Nuk është se ne u larguam për mungesë të mbështetjes dhe mirëkuptimit. E kuptova që duhej të largoheshim sepse Meghan ishte shumë keq. Nuk mund ta lejoja historinë të përsëritej”, tha princi Harry duke iu referuar fatit të trishtuar të nënës së tij, princeshës Diana.

Harry më vonë rrëfeu se ishte bllokuar pa dijeni nga pjesa tjetër e familjes si nga babai, ashtu edhe nga i vëllai.

Shënimin më të hidhur Harry ia adreson babait, i cili nuk u ishte përgjigjur thirrjeve telefonike pas vendimit të çiftit për t’u larguar.

“Unë jam i zhgënjyer sepse ai ka kaluar diçka si kjo”, shtoi ai.

Ai konfirmon se familja e tij i ka ndërprerë ndihmat financiare për të dhe u shpreh se jeton me të ardhurat qe i ka lënë nëna e tij dhe të ardhurat nga kompanitë Netflix dhe Spotify.

“Ne kemi bërë gjithçka që është e mundur për të qëndruar në shtëpinë mbretërore”, thanë  të dy./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.