Bora Muzhaqi, e diplomuar në Angli, pjesë e skuadrës së PS për zgjedhjet e 25 prillit

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezanoi sot në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHQIPËRIA E ARDHMJA, EMIGRACIONI E SHKUARA”, Bora Muzhaqin nga Elbasani, e diplomuar në Angli, e cila do të jetë pjesë e skuadrës së PS për zgjedhjet e 25 prillit

Duke u prezantuar Muzhaqi tha se , “edhe unë kam lindur në Elbasan, por shumë pak vite të jetës i shpenzova në atë qytet dhe më tej në moshën 17-vjeçare vendosa t’i drejtohem Anglisë për të vijuar studimet e mia. Isha shumë e vogël ende, por gjithsesi e dija shumë mirë që doja të shkoja në një universitet të njohur dhe të arrirë që të merrja sa më shumë dije për veten time”.

“Vendosa që studimet e gjimnazit t’i përfundoja në Kembrixh. Pas dy vitesh atje, me një bursë shumë të mirë, falë shkollës që arriti të sponsorizonte dhe studimin tim, fatmirësisht vajta në një prej universiteteve më të mira të Europës për ekonominë, në London School of Economics. Dhe aty u diplomova me bachelor në ekonomi”, tha Muzhaqi.

“Kjo nuk mjaftoi dhe mendova se ende më duheshin dije të mëtejshme dhe prandaj aplikova për një master në biznes ndërkombëtar, në “Hult International Business School”, dhe aty sërish me një bursë shumë të mirë për liderët e së ardhmes, fatmirësisht arrita që të marr çdo mundësi dhe çdo dije që Anglia kishte për të ofruar për mua”, tha ajo.

“Në vitin 2013 gjendesha para një vendimi shumë të vështirë. Nuk e dija nëse doja të rrija në Angli apo doja të kthehesha në vendin tim të lindjes. Vendimi u bë shumë i thjeshtë, fakti që familja ime ishte këtu e bënte shumë të thjeshtë kthimin në Shqipëri, pavarësisht sfidave”, u shpreh Muzhaqi.

“Në 2013-ën ju hapët një platformë që i bëri thirrje të gjithë studentëve shqiptarë të diplomuar jashtë që të ktheheshin në Shqipëri. Ajo platformë ishte shumë interesante dhe mua ma dërgoi mami, dhe thashë ‘ok’ po aplikoj edhe unë se ndoshta duan njerëz si puna ime. Aplikova me shumë kënaqësi në Departamentin e Financave që ishte dhe fusha ime, më pranuan me shumë kënaqësi. Por mendova që ende nuk isha gati. Kisha akoma shumë për të mësuar, nuk ishte momenti i duhur që unë të kontribuoja për vendin tim, sepse kisha akoma nevojë për të marrë dije të mëtejshme”, tha Muzhaqi.

“Prandaj vendosa që të pranoja një pozicion tjetër në “Pricewaterhouse Coopers”, ku punova si një konsulente taksash. Pas shumë vitesh punë dhe ekspertizë dhe u akreditova, arrita që dhe të promovohem dhe madje dhe të rekrutohem në një kompani tjetër”, tha ajo.

“Pjesa më kryesore është fakti që kam punuar gjithë kohës me bizneset. Kam njohur të gjithë bizneset nga afër si ato shqiptare, si ato ndërkombëtare dhe kështu kam kuptuar dhe problematikat që ato kanë. Kemi luftuar bashkë edhe me sfidat që kanë pasur me institucionet shtetërore herë pas here. Mendova që duhet të isha brenda. Pa qenë brenda nuk e ndryshoja dot. Prandaj aplikova për një tjetër program, për Bankën Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim. Më përzgjodhën dhe kështu kam qenë për 2 vite tashmë pranë qeverisë për t’i ndihmuar për të krijuar një klimë më të mirë biznesit”, theksoi Muzhaqi.

“Ka qenë një luftë e vështirë, një betejë e gjatë. mendoj që kemi bërë shumë, por ende ka për të bërë dhe prandaj gjendem këtu sot. Se po të mos kisha ide të reja dhe po të mos doja të kontribuoja nuk do isha këtu me ju sot”, tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.