Auto Moto Park, një ëndërr e shumëpritur së shpejti realitet

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Auto Moto Park përbën një hap historik për automotorizmin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se do të ngrihet cirkuiti i parë shqiptar me pistë rreth 5.3 km dhe një sipërfaqe mbi 500 mijë m2 në qytetin e Elbasanit sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK.

Ky park do të shërbejë edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muzeu e atelieri RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademia e edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta.

Investimi përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor.

Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.