8 Marsi/ Ambasadorja Kim: Kombet ku gratë kanë mundësi të barabarta kanë më shumë gjasa të lulëzojnë

TIRANË, 8 mars /ATSH – I. Vata/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim mori pjesë sot në takimin e sallonit të grave të Tiranës.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kim se sot, “ne mblidhemi për nder të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe për të festuar Muajin e Historisë së Grave në Shtetet e Bashkuara”.

“Mblidhemi për të festuar kontributin e jashtëzakonshëm që gratë shqiptare i japin familjeve të tyre, këtij vendi dhe botës sonë. Përgjatë rrugës, keni bërë betejën e përditshme kundër diskriminimit, keni fituar respekt dhe keni avokuar për heqjen e pengesave kulturore, ligjore dhe rregullatore për të çuar përpara të drejtat dhe mundësitë e grave, duke krijuar më shumë vende në tryezë për zërat e grave. Gratë mund dhe duhet të luajnë një rol në lëvizjen përpara të vendeve tona për arritje në novacion, begati dhe paqe. Për breza të tërë, Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të çuar përpara barazinë e grave, për të mbrojtur të drejtat e grave dhe të vajzave, dhe për të promovuar programe për fuqizimin e grave dhe të rinjve në mbarë botën”, tha ajo.

Ambasadoria Kim në vijim, shtoi se “ky angazhim është më i fortë se kurrë. Fuqizimi i grave nuk është një favor, nuk është diçka që mund ta bëjmë kur kemi kohë dhe burime, është një objektiv kryesor, sepse është çështje e drejtësisë dhe pozicionimit strategjik. Ne duam të fuqizojmë gratë, ngaqë është edhe gjëja e duhur dhe gjëja e mençur për t’u bërë. Siç e dinë tashmë shumica prej jush, unë kam tri fusha të përqendrimit këtu në Shqipëri: demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Nuk është për t’u habitur, gratë luajnë një rol të rëndësishëm në këto të treja”, tha Ambasadorja.

Po ashtu, Ambasadorja, tha se kur gratë fuqizohen ekonomikisht, ato investojnë në familjet dhe komunitetet e tyre, nxisin rritjen ekonomike dhe krijojnë shoqëri më të qëndrueshme.

“Kombet ku gratë kanë mundësi të barabarta kanë  më shumë gjasa të lulëzojnë dhe të zgjidhin sfidat në mënyrë paqësore. Në këtë aspekt, fuqizimi i grave në të gjithë globin ka të bëjë me sigurinë kombëtare, si dhe atë globale.Pres me kënaqësi të dëgjoj sot nga gratë që janë novatore, sipërmarrëse dhe udhëheqëse – gra me përvoja dhe perspektiva të ndryshme qëjanë të bashkuara prej suksesit të tyre, pavarësisht sfidave dhe siç tregon prania e tyre këtu, të bashkuara nga dëshira për të ndihmuar që gratë e tjera të kenë gjithashtu sukses. Në vitin tim të parë këtu, më kanë lënë mbresë shumë gra shqiptare që kam takuar, të cilat shpesh punojnë kundër sfidave të mëdha dhe me sakrifica të mëdha vetjake, qoftë në shtëpi apo në parlament, spitale, universitete, studio dhe çdo vend tjetër që mund të përfytyroni. Ne të gjithë ju detyrohemi falënderime për këmbënguljen dhe suksesin. Ju na frymëzoni dhe jemi kaq të kënaqura ta ndajmë këtë hapësirë sot ​​me ju”, përfundoi ambasadorja Kim. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.