Vokshi me mësuesit në Laprakë: Në 25 prill, keni në dorë ndryshimin

TIRANË, 7 mars /ATSH – I. Vata-  Ish- deputetja e PD-së Albana Vokshi u takua sot me mësues në zonën e Laprakës.

Gjatë bashkëbisedimit me mësuesit, Albana Vokshi theksoi planet e PD për të ringritur arsimin dhe për t’i kthyer dinjitetin mësuesve pas mbështetjes së tyre me votë në 25 prill.

“Në 8 vite figura e mësuesit nuk është respektuar, por është shantazhuar për të punuar e votuar për partinë në pushtet. Në 8 vjet, ka rritur vetëm 40 mijë lekë, pra, çdo vit vetëm 5 mijë lekë. Ka hequr pagën e 13-të, shpërblimet. Paga e mësuesit është ulur praktikisht. Por kemi një lajm të mirë. Kjo mund të ndryshojë. Është në dorën tuaj, në dorën e qytetarëve”- Vokshi.

Eksperti i arsimit, Ndriçi Mehmeti shpjegoi në emër të PD se disa pengesa që ndikojnë në mbushjen e arsimit me militantë do të hiqen.

“Me Abanën kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të ashpër dhe dy gjëra janë kryesore kurrikula dhe rroga. Kurrikula është e vështirë të ndryshohet menjëherë, por kemi mundësi që të bëjmë një reformë sistemike. Të heqim këtë model 3 lëndë në 6 orë e të krijojmë mundësi që mësuesi është vendimmarrës për kurrikulën. Portali do të hiqet përfundimisht. Kemi plan meritokratik që heq duart e politikës nga arsimi. I kthejmë dinjitetin mësuesit, që të mos vijë më shitësi i syzeve. Ne do ta bëjmë mësuesin të ndjehet zotni”- tha Ndriçim Mehmeti.

Albana Vokshi theksoi se vetëm përmes investimit në arsim vendi mund të shkojë përpara.

“Rama ka mbyllur 430 shkolla në 8 vjet. Kemi bërë betejën tonë që arsimi të ketë vendin e nderit në programin e PD. Pagat do të rritën 15 përqind çdo vit. Askush nuk do të ketë pagë më të ulët se 700 euro. Do të rikthehen shpërblimet, promovimet dhe rekrutimet sipas meritokracisë, jo me portale propagande. Pas 25 prillit do të qeverisim me një qeverisje të dijes, me një kryeministër që do të mendojë për ju, për fëmijët tanë dhe për arsimin. Në 25 keni në dorë të bëni ndryshimin. Ju do të fitoni, Shqipëria do të fitojë arsimin. Ky është objektivi ynë final.”- tha Vokshi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.