“Taksa 9% e Bashës e ka bishtin mbrapa”/ Taksa për biznesin e madh nuk do rritet, por as nuk do të ulet

TIRANË, 7 mars /ATSH – I. Vata- “Taksa 9% e opozitës ka bishtin mbrapa, sepse 9% i tyre është parapagim, pastaj u vijnë pagesat e tjera të keqqeverisjes dhe të paaftësisë qeverisëse”.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Lezhë i pyetur në lidhje me propozimin e opozitë për uljen e taksave për biznesin e madh, Kryeministri Rama tha se “tek ju ne nuk ju premtojmë ulje të taksës, ai ua premton”.

“Taksa e sheshtë është taksë në favor të atyre që kanë më shumë dhe nëse do ishte vetëm kaq marrëdhënia me qeverinë dhe me qeverisjen, sigurisht që ne do ndiheshim në  disavantazh ndaj jush se ne u kërkojmë dhe ju marrim 15%. Ata ju thonë 9%, por 9% i tyre e ka bishtin mbrapa sepse 9% i tyre është parapagim, pastaj u vijnë pagesat e tjera të keqqeverisjes, të paaftësisë qeverisëse të gjitha atyre që ata e kanë treguar sa herë kanë marrë një gjë në dorë. Këta të gjithë që janë sot, janë ata që janë shquar si ushtarë të komandantit legjendar të tyre dhe as nuk din më shumë se komandanti i tyre, dhe as nuk kanë më shumë aftësi se komandanti i tyre dhe kush do të kthehet në kohën e komandantit të tyre, por me karikaturat e komandantit në vend të komandantit që është edhe më keq, atëherë ha sapunin e fabrikës së djathit që prodhon më shumë duke marrë më pak qumësht. Por ajo që besoj unë për biznesin e madh është shumë e rëndësishme sesa vetë taksat është që të ketë të gjitha  garancitë në punë, rimbursimin e TVSH-së, që të ketë një marrëdhënie me shtetin ku taksidarët, ku inspektorët nuk vijnë për të rritur stresin dhe shqetësimin e vetë punës,  të ketë mundësi që për ato raste kur konkurron për fonde publike të ketë garanci në konkurrencë, të ketë transparencë në konkurrencë”, tha ai.

Ai shtoi se “ajo që është e rëndësishme është se sado biznes të madh të bësh, nëse je i rrethuar nga një atmosferë dhe mjedis ku gjerat e tjera nuk zhvillohen dhe ku njerëzit nuk ndjehen mirë, atëherë vetvetiu kushtet e rritjes së biznesit janë shumë të kufizuar sesa në rastin kur gjërat rreth e rrotull zhvillohen dhe marrin një pamje tjetër. Ne e kemi vijë ndarëse me palën tjetër”.

“Për ne kush fiton më shumë duhet të paguaj më shumë, kush fiton më pak duhet të paguaj më pak. Ne nuk do të rrisim taksat për biznesin e madh, por ne nuk do të ulim taksën për biznesin e madh. Nuk besoj që taksa e sotme mbi biznesin e madh është një taksë e rëndë, besoj se është një taksë e ndershme. 15% për të gjithë njësoj është taksë e ndershme”, thekson ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.