Shtëpi falas për të prekurit nga tërmeti/ Në vendet e tjera, rindërtimi bazohet te kontributi i të dëmtuarve

TIRANË, 7 mars/ATSH/- Ndryshe nga vendet e tjera të prekura nga tërmeti, Shqipëria është i vetmi vend ku të prekurit nga tërmeti marrin shtëpi falas.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Lezhë, Kryeministri Edi Rama tha sot se “të gjitha eksperiencat që kemi parë në Europë, që nga Italia deri në Turqi, nuk e kam gjetur një eksperiencë të vetme rindërtimi pas tërmetit falas për të dëmtuarit”.

“Të gjitha eksperiencat janë eksperienca që bazohen te kontributi i të dëmtuarve sado absurd që duket është kështu. Në Itali, në Turqi, kudo familjet e dëmtuara që marrin shtëpi pas tërmetit, marrin një kredi të butë ku shteti paguan një pjesë të interesave ose ku shteti jep një kontribut financiar, por apartamente falas dhe shtëpi falas jo. Ne të gjithë këtë operacion po e bëjmë bazuar në konceptim që të gjithë ata që kanë humbur shtëpinë, do ta marrin falas”, theksoi Rama.

Ai shtoi se e kemi kthyer këtë edhe në një program strehimi. “Kudo ku në një kulm ka pasur dy kurora, tre apo katër, ne nuk ndërtojmë një kulm, në ndërtojmë, 2, 3 apo 4 kulme. Pra të njëjtat familje që kanë qenë në një çati marrin secila çatinë e vet”, u shpreh Rama.

“I them këto për të thënë që duhet durim akoma. Tani procesi është i pandalshëm dhe të gjitha ato problem të mëdha të verifikimit dhe riverifikimit, rihapjes së aplikimeve kanë përfunduar, projektet kanë përfunduar. Për një pjesë të madhe janë bërë garat, janë lidhur kontrata ka filluar puna. Ka filluar lëvrimi i shtëpive individuale”, shtoi më tej kryeministri.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një qytetareje për ndërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Lezhë, Rama tha se “akoma nuk kemi dhënë asnjë apartament pasi nuk janë gati sepse ndërtimi i apartamenteve është më kompleks. Por unë besoj që nuk do prisni kaq sa keni pritur, por do prisni më pak sa keni pritur dhe do keni ju dhe të gjithë banorët e pallateve tuaja do keni një pallat të ri që do jetë më i mirë,  më i fortë më i bukur se ai që kishit”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.