Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rritja e pagës minimale në mandatin e tretë

TIRANË, 7 mars /ATSH – I. Vata- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “paga minimale 300 mije lekë nuk është shumë dhe do e rrisim sërish në mandatin e tretë, por është shumë më mirë sa e gjetëm me 230 mijë lekë”.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Lezhë, Rama tha se “ka qenë një debat i rëndësishëm brenda nesh dhe është një debat që në përgjithësi nuk e bëjmë vetëm ne, që vendet të cilat janë në zhvillim siç jemi ne duhet  të bëjmë kujdes me pagën minimale sepse një nga arsyet me të rëndësishme të tërheqjes së investimeve të huaja është dhe krahu i lirë i punës, pra paga e ulët. Por nga ana tjetër unë besojë që jo vetëm që ne nuk duhet të shqetësohemi për këtë por duhet të shqetësohemi për të kundërtën”.

“Në radhë të parë bëhet për ata që punojnë sot në manifakturë, punojnë sot në ndërmarrje  që janë gra dhe burra, madje më shumë gra, që 300 mijë lekë paga minimale është pak, është shumë pak akoma. Është patjetër shumë më shumë sesa 230 mijë lekë siç e gjetëm ne, por është akoma shumë pak në raport me nevojat e atyre njerëzve që punojnë realisht dhe rregullisht. Kështu që unë nuk e shoh të rrezikshme për investimet, sepse kjo do të shkojë  gradualisht dhe paralelisht me rritjen e kapaciteteve produktive dhe me ndryshimin e qasjes së vetë sipërmarrësve këtu në Shqipëri që duhet gjithmonë e më shumë të orientohemi nga përmirësimi i mënyrës se si planifikojnë, i mënyrës se si investojnë, i mënyrës se si shohin të ardhme dhe nga kënaqësia e atyre që kanë në punë”, tha ai.

Rama shtoi se “ne do ta rrisim më tutje pagën minimale, është e padiskutueshme që duhet të rritet akoma dhe nuk e shoh rrezik për ardhjen e investitorëve të huaj. Unë mendoj se koha kur në Shqipëri mjaftoheshim me investitorë të huaj që vinin vetëm për këtë arsye duhet lënë pas. Koha kur mjaftoheshim me investitorë të huaj që vinin për të marrë në punë nëna dhe vajza të reja për 230 mijë lekë dhe që i mbanin në punë përtej orarit, dhe që  shpesh herë i mbanin në punë të zezë nuk u paguanin as sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është koha e shkuar dhe nuk duhet të na tundojë ky lloj pozicioni konkurrues”.

“Sigurisht se kur ti ke një vend kur ofron skllavërinë si një mjet shfrytëzimi për investitorët, ka investitorë që janë të lumtur që të vijnë në atë vend dhe të shfrytëzojnë atë mjet, por këta nuk jemi ne, kjo nuk është PS, kjo nuk mund të jetë Shqipëria. Kështu ne nuk kemi pas mundësi ta rrisim më shumë, por në çdo hap kemi krijuar mundësi për ta rritur nga pak dhe nuk është e papërfillshme rritja, por 300 mijë lekë nuk është e mjaftueshme dhe prandaj ne duam që në mandatin e 3 do ta rrisim më tutje, do ta themi në kohë kur të shpallim Planin e Veprimit 2021-2025-së”, tha ai.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version