Qeveria do të përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat personale, pagat deri në 40 mijë lekë

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Partia Socialiste në programin e saj në mandatin e tretë parashikon heqjen e taksës mbi të ardhurat personale për pagat deri në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është kufiri aktualisht.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Lezhës.

“Ne duam që sot të kemi në Shqipëri një pagë të pataksuar deri në nivelin 40 mijë lekë. Jemi duke diskutuar për heqjen e taksës mbi të ardhurat personale për pagat deri në 40 mijë lekë duke nisur nga viti 2022 ose 2023. Jemi ende në diskutime”, tha Rama.

Rama tha se premtimet duhet të bëhen mbi llogari pa dëmtuar buxhetin.

“Ne nuk jemi një parti që pas 8 vitesh në opozitë, në një proces ripërtëritje e riorganizimi kthehet për të marrë detyrën. Ne jemi qeveria. Po të ishim në 2013 nuk do të ishim kaq të shtrënguar në nxjerrjen e fjalëve sepse nuk do të kishim të gjitha llogaritë në tavolinë. Jo këtu, po në të gjithë botën opozita bën premtimet duke hamendësuar, pasi si ka të gjitha të dhënat në dorë si qeveria. Kjo masë zgjeron bazën e të punësuarve që nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, e çon në 67%. Por që ti ta thuash këtë duhet të bazohesh te llogaria, që këto para që ti po j’a u kthen qytetarëve të mos cënojnë buxhetin”, tha Rama.

Njëkohësisht Rama solli në vëmendje dhe dy masa të marra nga qeveria për të lehtësuar biznesin në situatën e krijuar nga pandemia e virusit Sars-Cov-2, por që do të vijojë deri në vitin 2029.

“Biznesi me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë s’paguan asnjë tatim mbi fitimin. E ka taksën zero. Është mbështetja më serioze e afatgjatë që një qeveri i jep biznesit. Sepse nuk është një masë për pandeminë, por një masë që do të jetë aty. Unë e kam thënë që deri në 2029 për sa sa kohë Partia Socialiste do të jetë në krye të vendit biznesi i vogël nuk do të paguajë tatimfitimi. Po ashtu biznesi me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë nuk do të paguajë as TVSH”, deklaroi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.