Përkujtohet intelektuali Qemal Draçini, u arrestua pas lëvizjes së Postribës

TIRANË, 6 mars /ATSH – I. Vata/ Në kuadër të kurimit të së shkuarës së regjimit komunist në Shqipëri Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot në ditën e lindjes intelektualin Qemal Draçini, i arrestuar në vitin 1946 mbas lëvizjes së Postribës dhe që vdiq në burg.

Qemal Draçini lindi në Shkodër më 6 mars të vitit 1922 .Shkëlqeu si nxënës në Gjimnazin e Shkodrës, ku dhe nisi të përfshihej nga idetë komuniste që nisën të shpërndaheshin nga Skënder Luarasi ne kohën kur u vendos si drejtor i konviktit “Malet tona”.

Në moshën 16-vjeçare u dënua me 6 muaj burgim politik në vitet 1938-39. Dy vjet më pas u burgos nga regjimi fashist sepse u dallua për shoqërimin me Qemal Stafën dhe Emin Durakun. Ndoqi studimet në Firence për juridik, 1941-’43. Dhe në vitin 1945 punoi si mësues i letërsisë, ekonomisë politike dhe drejtësisë në Tiranë në institutin “Donika Kastrioti” e në Shkodër në Gjimnaz, më vonë në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Sterjo Spassen.

U arrestua në vitin 1946 mbas lëvizjes së Postribës prej nderimit që gëzonte si një ndër intelektualët e kohës por edhe pse i kishte braktisë «mëkatet e rinisë». Vdiq në burg nga torturat më 10 tetor 1947.

Me anë të një peticioni të inteligjencës e disidencës shkodrane për 45 vjetorin e vrasjes kërkohej shpallja e Draçinit “Pishtar i lirisë e demokracisë”. Shpallja “Martir i Demokracisë” u bë më 1992. Pjesë të veprës së Qemal Draçinit u përmblodhën në vëllimin “Era”, Shkodër 1995. Më 2008 vlerësohet nga Këshilli Bashkiak i Shkodres me titullin “Qytetar Nderi”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.