Përfundon digjitalizimi i arkivës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore

TIRANË, 6 mars /ATSH –Bledi Naska/ Ministrja e Kulturës Eva Margariti njoftoi sot lajmin e mirë të përfundimit të projektit  të digjitalizimit të arkivës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë kulturore.

“Arkiva teknike e Institutit Kombëtar të Tashëgimisë Kulturore është një nga më të rëndësishmet, ku ruhen projekte, fotografi, filma e mikrofilma, që lidhen me monumentet e kulturës, qendrat historike. Falë projektit të digjitalizimit kjo arkivë jo vetëm do të jetë më e sigurt, por më e aksesueshme nga profesionistët e fushës, studiuesit e studentët”, theksoi Margariti.

Ky projekt u bë i mundur me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe gjithashtu me asistencën e zyrës së UNESCO-s, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Deri tani në fondin digjital që është realizuar janë digjitalizuar rreth 4100 dosje teknike, rreth 47,700 filma dhe mikrofilma negativ, rreth 256,200 fotografi me ngjyra e bardhezi.

Ky fond është shumë i rëndësishëm dhe tashmë është i aksesueshëm dhe mund t’u vijë në ndihmë të gjithë specialistëve, studiuesve dhe studentëve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.