Pacienti me kovid: Ushqim i shkëlqyer në spital, i kontrolluar nga mjekët për sëmundjen që po kalojmë

 

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Një pacient me COVID-19 i shtruar në spital shprehet përmes një videoje se ushqimi në spital është i shkëlqyer, duke sugjeruar madje që të ndalohet hyrja e ushqimeve që sjellin familjarët për pacientët.

“Unë si pacient sugjeroj që të shikohet problemi i ushqimit që futet nga jashtë nga familjarët”, theksoi ai duke shtuar se ndoshta ky është një vendim që u përket autoriteteve por ai jep mendimin e vet.

“Ushqimi që është në spital për pacientët është i shkëlqyer, ushqim dietik i përpiluar nga doktorët, dietologët etj në përputhje me sëmundjen që ne po kalojmë”, u shpreh i sëmuri.

“Nëse vijnë ushqime familjarësh nga jashtë, për mendimin tim, I bën dëm sëmundjes dhe jo mirë. Kjo është pjesë e spitalit, po unë do them pak më tepër nga sa më takon”, tha ai në videon, që tashmë i shtohet dëshmive nga brenda spitaleve Covid për kujdes dhe ushqim të përshtatshëm për të gjithë të sëmurët.

Më herët, një pacient tashmë i shëruar u shpreh për mediet se nuk kishte pasur ushqim të mjaftueshëm në spitalin “Shefqet Ndroqi”, akuza që u përgënjeshtruan nga mjekja Silva Bala, e cila tha se një propagandë e tillë nuk ndihmon askënd. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.