Nga ujësjellësi mes jugut të Shqipërisë dhe Puljas te ndërlidhja energjetike/ Rama: Kemi ende shumë potenciale bashkëpunimi

 

TIRANË, 6 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Bari, se ka ende shumë për të bërë për të shtyrë para potencialin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në Bashkinë e Barit, Itali, si një moment përkujtimi tre dekada pas nisjes së emigracionit shqiptar drejt Puljas.

“Vazhdoj të dyshoj nëse e meritotj të gjithë këtë, por nuk mundem të mos shpreh mirënjohjen time dhe t’ju falënderoj nga zemra që na rezervuat këtë mikpritje, që do të mbetet në kujtesë, në një çast të rëndësishëm kujtimesh dhe reflektimesh mbi 30 vjet histori të përbashkët, një histori e cila ka filluar pikërisht këtu në brigjet e mrekullueshme të Italisë, por të Puljas në mënyrë të veçantë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në këta 30 vjet kanë ndodhur shumë gjëra dhe padiskutim ajo që është e sigurt, është se sa më shumë kanë kaluar vitet, sasia e gjërave të mira, e gjërave të vlefshme e të denja për respekt është shtuar dhe ajo e gjërave jo të bukura është pakësuar dhe tashmë i përket historisë. Ajo pjesë e kësaj historie që na ka vënë në vshtirësi dhe në siklet si shqiptarë, që në atë kohë shiheshim nga një pjesë e shoqërisë italiane si të dyshimtë. Ndërsa pjesa tjetër, që këtu në Pulja ka qenë pjesa mbizotëruese, na shtriu dorën dhe na shoqëroi në këtë rrugëtim të ri”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sigurisht që ishte shumë e vështirë për njerëz që dilnin nga një ferr dhe nga një izolim i pabesueshëm. “Ne kemi qenë një rast unik në botën komuniste sepse ne ishim Koreja e Veriut e Europës në atë kohë, sepse refuzonim të dyja rrugët, rrugën e demokracisë dhe kapitalizmit si dhe rrugën e diktaturës së butë le të themi, të parë nga Tirana”, tha Rama.

Duke u ndalur te niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve, Rama tha se “kemi ende shumë për të bërë në kuptimin që potenciali i bashkëpunimit, i zhvillimit apo i shtytjes për të ecur përpara është ende mjaft i madh, i jashtëzakonshëm”.

“Ne mundemi me të vërtetë të shkojmë përtej, më larg, duke u përpjekur të krijojmë, të bashkojmë frymën tonë në hapësirën mes Shqipërisë dhe Italisë dhe Puljas në mënyrë të veçantë, sepse nuk ka më as kufij fizik, as kufij mendor. Janë gjithmonë e më të shumtë italianë që vijnë në Shqipëri dhe janë të interesuar të investojnë në Shqipëri dhe ne jemi gjithmonë e më shumë të interesuar që të bëhemi pjesë e kësaj pjese në kuptimin jo vetëm të së ardhmes së prëbashkët por edhe të tashmes”, tha Rama.

Kryeministri tha se beson se duhet vetëm të kemi guximin, kurajon që të ecim më tej.

“Mendoj se ka një potencial të madh në mundësinë e krijimit të strukturave të përbashkëta të edukimit, të arsimit, të universiteteve të Puljas, që shumë mirë mund të drejtohen në Shqipëri. Të ngrihen duke u bërë pjesë e sistemit publik. Është ëndërr e vjetër të shndërrojmë universitetin e Vlorës në një sistem publik puljez. E dimë shumë mirë se ju keni universitete ekselence në Pulja dhe shumë studentë shqiptarë studiojnë prej vitesh në këto universitete. Do të ishte fantastike nëse njëri prej këtyre universiteteve do të ishte andej, në Vlorë me dyer të hapura për studentët shqiptarë e italianë dhe diplomë të vlefshme me atë të universiteteve puljeze”, tha Rama.

Sigurisht, vijoi ai, “duhet të ndjehemi në siklet kur mendojmë se ideja e ujësjellësit midis jugut të Shqipërisë dhe Puljas është një ide më e vjetër se ne”. “Pak nga pak po mbush 100 vjet dhe ende nuk është vënë në zbatim, apo nuk ka filluar puna për t’u realizuar. Por, mendoj se kjo është një ide e madhe për të lidhur dy brigjet e detit me një ujësjellës që do të sillte ujë në këtë rajon dhe me siguri do të ishte një lidhje shumë e rëndësishme jo vetëm për ujin por për të ardhmen e komuniteteve tona. Duhet t’i japim një shtysë më tej. Nuk është një ide që kushton pak, por edhe nuk kushton aq shumë sa mos të realizohet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “do të ishte një ndihmë e rëndësishme për këtë qark që ka një sistem ujor ndër më ekselentët në Europë, por ndoshta se keni më pak ujë se rajonet e tjera ndaj dhe zhvilloheni më shumë në ato drejtime ku nuk keni burimet e nevojshme”.

Po ashtu, Rama tha se çështja e ndërlidhjes edhe të energjisë është një çështje e rëndësishme, sepse Shqipëria prodhon thuajse 100% energji të gjelbër, e gjitha e bazuar në sistemin ujor”.

“Por kemi filluar të investojmë edhe në energjinë diellore dhe kemi aftësitë për të eksportuar. Dhe kjo anë këtej mund të importonte energji të gjelbër për shkak të kuotave dhe kështu mund të bëjmë një shkrirje, bashkim interesash, menaxhimi të burimeve energjetike. Kjo ndërlidhje është një projekt tjetër i rënsësishëm, i cili do të duhej të zbatohej. Me TAP-in që tashmë na lidh është edhe më e lehtë të përfytyrojmë qoftë ujësjellësin, qoftë kabllot, në të njëjtën vepër të realizohen të dyja”, tha Rama.

Lidhur me projektin e bashkisë së Barit për rikualifikimin e një zone që i kushtohet kryetarit legjendar të kësaj bashkie, Rama u ofrua të kontribuojë falas me ide në konecptimin e lyerjes së fasadave përreth murit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.