Nafta falas për bujqësinë/ Në Korçë nis shpërndarja e kartave, përfitojnë mbi 5 mijë fermerë

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informoi sot se, paralelisht me aplikimin në skemën e naftës falas për fermerët që punojnë tokën, ka nisur në të gjithë vendin shpërndarja e kartave për fermerët përfitues të kësaj skeme.

Sipas MBZHR, ditët e fundit ka nisur në qarkun e Korçës, shpërndarja e kartave për naftën falas për fermerët.

Janë dhënë 50 kartat e para, ndërsa numri i përfituesve nga kjo skemë, për Korçën, shënon 5200  fermerë, në  këtë faze të procesit, pasi aplikimi për naftës falas  vijon deri në datën 30 mars 2021.

Nafta pa taksa për bujqësinë është një lehtësim për ekonominë fermere.

“Rishikimi i skemës për fermerët që kanë toka me qira por që nuk aplikuan për shkak të kostove që u duhej të paguanin për aktet noteriale pritet që të rrisë numrin e përfituesve nga skema e naftës falas për bujqësinë“- bën të ditur MBZHR. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.