Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit vijoi me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Bledi Naska/ Teatri Metropol me një ndër produksionet më të mira të kohëve të fundit, ka qenë mbrëmë pjesë e konkurrimit në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit.

“Ëndrra e një nate vere” është një ndër mrekullitë e shumta të Shekspirit e cila është vënë në skenë rreth një vit më parë në sallën që mban edhe emrin e këtij autori në “Teatrin e Metropolit Tiranë”. Ky projekt u mbështet edhe nga Bashkia e kryeqytetit. Regjia  e kësaj shfaqe ishte nga  Armela Demaj dhe nën interpretimin e aktorëve, Alba Shtembari, Aleksandër Mitrollari, Amri Hasanlliu, Bledi Naska, Edvin Mustafa, Engjëll Hoxha, Erdet Miraka, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Klodjana Keco, Luisa Dinellari, Margent Caushi, Mario Bali, Mariglen Domi, Rexhina Mollaymeri, Sara Koci, Sedmir Memia, Shkëlzen Berisha, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Stiv Osmanaj dhe Xhino Musollari.

Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba”, në nder të dasmës së Dukës së Athinës.

Hermia është e dashuruar me Lisandrin, por ati i saj kërkon ta martojë me Dimitrin. Për t’i shpëtuar kësaj martese të kurdisur, ajo dhe Lisandri arratisen për në pyll. Dimitri i ndjek dhe Helena, që ushqen një pasion të pashpërblyer për të, e ndjek dhe ajo pas.

Ky version i komedisë më të bukur të Shekspirit është më ëndërrimtari që është vënë në skenën e teatrit shqiptar dhe është një festë e vërtetë, një vorbull ngjarjesh, personazhesh, dashurish e keqkuptimesh të cilat erdhën në skenë nën lojën komike aktoriale por duke i ndenjur besnik gjuhës dhe temporitmit të mrekullueshme Shekspirianë. Elemente të tjerë shumë të rëndësishëm ishin dinamika e baletit, ngjyrave psikodelike të skenografisë dhe kostumografia që të cojnë herë para, e herë mbrapa në kohën e dikurshme shekspiriane. Në këte veper, motivi i dashurisë ka ardhur me të gjitha dimensionet e saj, me pasionin, me poezinë, me lirikën, me marrëzinë dhe me humorin e pasur.

Festivali vazhdon edhe sot me shfaqen e rradhës që është edhe e dymbëdhjeta e këtij festivali. Ajo është komedia “Oh, Oh Xhulia” e teatrit “Adriana Ferizaj”, vepër e autorit Eprahim Kishon nën regjinë e Besim Ugzmajlit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.