30 vite nga eksodi i shqiptarëve në brigjet italiane/ Rama: Ndryshimet në Shqipëri kanë qenë të jashtëzakonshme, Italia ëngjëll mbrojtës

TIRANË, 6 mars/ATSH-Maela Marini/ “Italia ka qenë sigurisht ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë, qoftë atëherë kur bëhet fjalë për të folur për Shqipërinë në selitë ndërkombëtare në Bruksel në mënyrë të veçantë, qoftë edhe kur bëhej fjalë për të ndihmuar Shqipërinë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Bari, Itali, nëpërkujtim të 30-vjetorit të fillimit të emigracionit shqiptar drejt Pulias, në Këshillin Rajonal të Pulias, krah ministrit të Jashtëm italian, mikut Luigi di Maio dhe Kryetarit të Këshillit, Michele Emiliano.

Kryeministri Rama vlerësoi mikpritjen befasuese, ndërsa theksoi se “është gjithmonë e më e pabesueshme të përfytyrosh që ata njerëz (të eksodit), ishim ne shqiptarët që jetojnë në ditët e sotme”.

“Duket një histori që ka ndodhur mijëra vjet përpara, por në 30 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra. Kanë ndryshuar shumë gjëra edhe sepse ne vinim nga tepër, tepër larg dhe ndryshimet në Shqipëri kanë qenë të pabesueshme, të jashtëzakonshme. Por ajo që i bën të gjithë këta vjet të pabesueshëm është ndryshimi për shqiptarët që mbërritën me ato anije dhe që sot ata janë pjesë përbërëse e kësaj shoqërie”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “janë gati gjysmë milionë shqiptarë, dhe gati 50 mijë ata që kanë një ndërmarrje të vogël e të mesme, mijëra studentë dhe më në fund prej shumë vitesh tashmë nuk shihen më nga askush si njerëz të dyshimtë”.

“Për ne Italia ishte një ëndërr. Kam pasur një gjyshe katolike që ma ka mësuar këtë gjuhë dhe mbaj mend që më thoshte; shqipja është gjuha e të parëve të tu, italishtja është gjuha e të kaltërve tanë. Gjyshja ime ishte shumë e lidhur me Italinë. Italia për ne ishte ai ekrani i vogël bardh e zi i RAI-t. Në atë kohë nuk mund të kapnim RAI-n në Tiranë sepse ishin zhurmuesit. Ne ishim shumë të lumtur kur shkonim te gjyshja me pushime, jo vetëm për detin por për televizionin, për të parë RAI-n”, kujtoi Rama.

E më pas, vijoi ai, “ndodhi kjo situatë ballafaqimi me realitetin e Italisë dhe sigurisht nuk ishte ajo që ne kishim parë më parë në ekranin e RAI-t, apo të MEDIASET-it sepse ishte një realitet i përbërë nga shumë gjëra”.

“Në atë kohë ne vuanim shumë nga ideja që na shikonin si të dyshimtë. Nuk do harroj kurrë një lajm, ishte një gazetar në një vend ku kishte ndodhur vrasje dhe thoshte: ‘nuk ka asnjë gjurmë të vrasësit por ka shumë të ngjare ta ketë bërë një shqiptar’. Ishte një stigmë që na bënte ta vuanim shumë. Kjo bën pjesë në të kaluarën sigurisht që në anën tjetër ka ndodhur gjithë kjo histori e jashtëzkonshme mikpritjeje, integrimi, në një vend që për herë të parë ishte një destinacion, një pikë mbërritje për të tjerët dhe pikë nisje për diku tjetër. Ishte ndoshta ushtrimi i parë i madh i solidaritetit drejt refugjatëve nga ana e Italisë përballë këtyre brigjeve ku kishte qindra mijëra të dëpshpëruar që nuk ngjanin aspak asaj çka njerëzit ishin mësuar të shikonin, sepse dukeshin si jashtëtokësorë, si alienë”, tha Rama.

Më pas, vijoi ai, “kemi edhe historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë një histori që karakterizohet nga solidariteti i madh nga ana e Italisë”.

Rama tha se “në momentet më të errëta, Italia ka qenë gjtihmonë e pranishme në Shqipëri”.

“Mbaj mend ato çaste të tmerrshme të 1997 kur gjithçka shpërtheu për shkak të piramidave financiare dhe vendi iu afrua buzës së greminës me shumë të vdekur, me shumë të plagosur. Nuk kishte më shtet, nuk kishte më asgjë, nuk kishte më ligj, rrugët ishin në fakt në duart e njerëzve që krijonin bandat e tyre. Dhe Italia mbërriti me një operacion të madh ushtarak, por edhe me një ndihmë të drejtpërdrejtë. Romano Prodi ishte nismëtari që krijoi idenë e kësaj mbërritje. Nuk ishte mbërritja e një force ushtarake për të rivendosur rendin, por mbërritja në një vend mik për të na ndihmuar të dilnim jashtë kësaj situate, me shumë ndihma në të gjitha kuptimet”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “ky çast ishte kyç për të ardhmen e Shqipërisë”. “Më pas, gjatë gjithë periudhës së rindërtimit mbas atij momenti të tmerrshëm, Italia ka qenë sigurisht ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë, qoftë atëherë kur bëhet fjalë për të folur për Shqipërinë në selitë ndërkombëtare, në Bruksel në mëyrë të veçantë, qoftë edhe kur bëhej fjalë për të ndihmuar Shqipërinë. Sigurisht edhe çasti i tmerrshëm i tërmetit që na goditi para 15 muajsh, edhe ky ishte një çast tjetër mbrojtjeje nga ana e Italisë që falë Luigit në radhë të parë që u përfshi personalisht në një mënyrë vërtetë befasuese përtej gjithë asaj që mund ta quajmë solidaritet, solidariteti i një fqinji, i një të huaji. Ai u përfshi sikur po digjej Napoli dhe jo një vend nga bregu tjetër i detit, dhe pastaj të gjithë të tjerët. Ishte e pabesueshme, nuk është retorikë kjo, nuk është për të thënë gjëra që mund të na pëlqejnë, por ishte e vërtetë, ishte e pabesueshme të ishe atje e të shikoje këta djem e vajza, këta të rinj edhe zjarrfikësit që kishin mbërritur të shumtë, atëherë kur ende kishte jetë për të shpëtuar nën gërmadhat e tërmetit. Ishin ca situata mjaft të rrezikshme dhe ata u futën atje të shpëtonin jetë, që nuk ishin jetë italianësh, por ishin jetë njerëzish të një vendi tjetër”, tha Rama.

Më pas, ai vlerësoi nivelin e bashkëpunimit qoftë nga ana e asistencës, e ndihmës dhe e transferimit të njohjeve në ndërtimin e institucioneve, në ndërtimin e kapaciteteve në frontin e drejtësisë, luftës kundër kriminalitetit, korrupsionit, por edhe në frontin e bashkëpunimit ekonomik, është bërë jashtëzakonisht shumë”.

“Po të bëjmë një simulim, ta heqim Italinë dhe gjithçka Italia ka bërë për Shqipërinë gjatë këtyre 30 viteve dhe të lëmë pjesën tjetër të botës, Shqipëria nuk është ajo që është . Do të ishte vënë në një pozicion shumë më të brishtë se pozicioni që jemi sot, që sigurisht ende nuk është pozicioni që duhet të jetë nga pikëpamja e ekonomisë, e drejtësisë, e edukimit, arsimit, shëndetësisë dhe gjithçkaje tjetër, por sidoqoftë është shumë ndryshe sa më parë dhe shumë më e fuqishme. Po të përfytyrojmë të heqim Italinë dhe kontributin e Italisë, sigurisht nuk do të ishim në këtë pozicion sot. Dhe unë mendoj që kjo është vetëm e vërteta, nuk është asgjë tjetër përveçse e vërteta”, tha Rama.

“Në Itali vrasësi i zhdukur pa lënë gjurmë që me shumë të ngjarë mund të ketë qenë shqiptar, kjo është një histori e së kaluarës së largët, por shqiptari i dyshimtë mbetet edhe sot, Shqipëria e dyshimtë mbetet edhe sot në ndonjë pjesë të Europës, një realitet në përfytyrimin e njerëzve që marrin vendime, e njerëzve që japim mendime, opinione”, tha Rama.

Rama tregoi se “para jo shumë kohe më parë unë mora një mesazh nga përgjegjësi i zonës VIP të aeroportit të Tiranës”. “Një mesazh urgjent dhe mendova mos kishte ndonjë bombë apo kishte rënë zjarr në aeroport. Marr telefonin dhe më thotë kemi një situatë të jashtëzakonshme, se kemi parë ndonjëherë më parë. Është një VIP që nuk do të hyjë në Tiranë, një VIP që ka ardhur i shoqëruar me policë, gazetarë, që refuzon të hyjë, të lërë zonën VIP dhe të dal nga aeroporti për të hyrë në Tiranë se do të shoqërohet nga makina të blinduara, nga njerëz të armatosur. Nuk po ju them se kush është, por ju them se është një politikan i rëndësishëm i një vendi të rëndësishëm, një mysliman i së majtës madje. Sepse normalisht nuk do të duhej në konceptin paraprak të ishte dikush me paragjykime kaq të mëdha. I them: A janë aty shërbimet që shoqërojnë VIP-at? Po më thonë, ata janë të armatosur, por zotëria nuk e quan pistoletën një armë të mjaftueshme për tu futur në Tiranë. I thashë: ‘I thoni zotërisë se nuk ofrojmë një shërbim për t’u futur në Kandahar. Ai mund të niset mbrapsht, nuk ndodhet në atë Rripin e Gazës”, tha Rama.

Kryeministri vijoi, duke shtuar se mbas 45 minutash debate për t’u futur më në fund në Tiranë, ai hyri.

“Nuk di nëse ai e dinte që unë e dija këtë situatë. Por më thotë: Zoti Kryeministër unë duhet t’ju kërkoj një falje shumë të madhe, sepse Shqipëria nuk ka të bëjë fare me atë që unë përfytyroja. Bëra një xhiro në Tiranë, një shëtitje në qendër të Tiranës ku është jeta e natës dhe nuk pashë asnjë grua të mbuluar. Dhe unë i thashë po, nuk ka gra të mbuluara në Shqipëri, ka vajza myslimane që vënë shami në kokë, por gra të mbuluara nuk ka. Pastaj, vijoi ai, shkova në Ministrinë e Brendshme dhe flisnim anglisht. I thashë se nëse ju jeni i befasuar deri në këtë pikë, gjithçka do të jetë surprizë për ju. Ja tregoni këto publikut tuaj, sepse është publiku juaj që do ta dëgjojë këtë”, tha Rama.

Por, vijoi ai, ndërkohë i kërkova ambasadorit ta ndiqte se çfarë do të thotë ky tipi në vendin e tij dhe ai nuk tha gjëra të shëmtuara si ato që thoshte para se të vinte, por nuk tha asnjë gjë nga e gjitha kjo.

“Dhe unë i kalova një mesazh përmes ambasadorit dhe i thashë: Kryeministri u gjend shumë i befasuar, madje shumë më tepër se ju kur erdhët në Shqipëri sepse ju nuk thatë asnjë gjë për gjithë këtë. Dhe ai u përgjigj: Ma përshëndesni atë kryeministrin e madh, unë jam i sigurt që inteligjent siç është do ta kuptoj”, tha Rama.

Kjo është politika, tha Kryeministri. “Sigurisht kjo nuk është politika dhe nuk është arsyeja pse unë dhe pothuajse të gjithë ju bëni politikë. Por të mendosh se kjo është politika dhe të kesh aftësinë institucionale për të bërë politikë në ato nivele, në këtë drejtim mund t’i bëhet dëm njerëzve, komuniteteve të tëra dhe mund t’i bësh dëm edhe vendeve të tëra. Dhe ky është muri që ne duhet të shembim në Europë. Dhe ky mur është një arsye tjetër për të cilën ne i jemi gjithmonë mirënjohës Italisë, atyre që kanë drejtuar, kanë udhëhequr qeveritë italiane, pavarësisht nga ngjyrat politike dhe ato psiko-hakmarrjet e brendshme në Itali, sepse kanë qenë gjithmonë ata që kanë thënë hapur, qartë atë që ne do të kishim thënë nëse do të kishim qenë atje, në vend të tyre. Italia është avokatja jonë në të gjitha sallat ku Shqipëria është nën akuzë dhe kjo thotë gjithçka dhe ne ju jemi vërtetë mirënjohës”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.